Thu, Jul 10, 2025

Autorët dyshohet se ishin veshur si policë, ja si u rrëmbye, u mbyt dhe më pas u hodh në liqen 23-vjeçari Renis Dobra

  • PublishedJuly 10, 2025

Autorët dyshohet se ishin veshur si policë, ja si u rrëmbye, u mbyt dhe më pas u hodh në liqen 23-vjeçari Renis Dobra

NIKOLETA KOVAÇI/ Renis Dobra, 23 vjeç, nga një fshat i Matit, është gjendur i pajetë dhe me shenja të dukshme dhunë, buzë liqenit të Shkopetit.

Babai i tij kishte mbërritur në komisariatin e Burrelit mbrëmjen e së martës duke denoncuar se kishte humbur kontaktet me të birin, ndërkohë që askush nuk ia dinte vendndodhjen. Ditën e djeshme (9 Korrik), orëve të para, një qytetar ka telefonuar policinë duke dëshmuar se ka parë një trup të pajetë në afërsi të liqenit.

Me të shkuar në vendin e ngjarjes është konstatuar se bëhet fjalë për të riun, që policia kishte marrë denoncim një natë më parë. Nga dëshmitë e para të familjarëve nuk është mësuar asnjë detaj që ndihmon në hedhjen dritë mbi shkaqet, ndërkohë që policisë dhe prokurorit të gatshëm u janë dashur shumë orë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me djalin.

Ndonëse Policia e Dibrës nuk reagoi zyrtarisht ditën e djeshme në lidhje me krimin e rëndë, ngjarja që nga mëngjesi e deri mesditë kaloi nëpër tri versione. Fillimisht u tha se djali ishte vrarë me plumb dhe ishte hedhur poshtë rruge. Më pas policia konstatoi se nuk ka plagë plumbi, e për pasojë u hodh ideja e një aksidenti, ku u tha se edhe mjeti ka përfunduar në liqen, ndërkohë që pas mesdite, teksa janë hapur një sërë kamerash nga Burreli e deri në Shkopet, është konstatuar pas mjetit të të riut një makinë tjetër, nga ku dyshohet se kanë dalë disa persona, e kanë rrëmbyer, e dhunuar derisa djali ka ndërruar jetë.

Askush nuk di të thotë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, por do të jetë e sotmja, me ekspertët që do të shkojnë nga Tirana që do të hedhin dritë mbi ngjarjen që ka tronditur gjithë opinionin publik. Policia lokale ka nisur marrjen e dëshmive, shoqërimin e disa personave, ndërkohë që janë vënë në kërkim të mjetit të konstatuar pas makinës së Renisit, makinë që dyshohet që mbarte autorët e aktit horror.

Ngjarja dhe hetimet

Babai i Renisit, pasi nuk ka mundur të lidhet me të birin për disa orë, ka shkuar në komisariat duke treguar se kishte humbur kontaktet me të. U tha se efektivët nisën menjëherë kërkimet, siç thuhet gjithnjë, por pa rezultat. Dje u bë me dije se trupi i 23-vjeçarit Renis Dobra u gjet pranë liqenit të Shkopetit, në fshatin Madhesh të Matit. Automjeti me të cilin i riu kishte dalë nga shtëpia, dyshohet të ketë rënë në ujë, por ende nuk është gjetur.

Një grup i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë po heton për një vrasje të mundshme, pasi në trupin e të ndjerit ka gjurmë të mbytjes me litar, pasi ka shenja të dukshme në qafë. Kështu dyshon polica, por do të jetë mjekësia ligjore, që do të hedhë dritë mbi mënyrën se si iu ka marrë jeta të riut. Mirëpo pas arritjes në konkluzionin se Renisi mund të jetë vrarë, policia ka bërë me dije se ka arritur të zbardhë një pjesë të mirë të dinamikës.

/Gazeta Panorama