Dështon tratativa Inter-Gallata, Çalhanoglu mbetet zikaltër
Një takim i shpejtë ditën e mërkurë në Milano mes përfaqësueseve të Inter dhe Gallatasarait, për t’i dhënë fund telenovelës së kësaj vere, atë lidhur me të ardhmen e Çalhanoglu.
Takimi përfundoi shumë shpejt nga sa pritej, kjo sepse nuk u plotësuan kushtet për vijimin e tratativës. Interi ia ka bërë të qartë Galatasarayt se për ta lënë të largohet lojtarin kërkon jo më pak se 30 milionë euro dhe nuk është i gatshëm të bëjë ulje çmimi. Nga ana e saj, Galatasaray, që deri më tani nuk kishte paraqitur një ofertë zyrtare për Interin dhe që shpresonte në pëlqimin e lojtarit për t’u kthyer në Turqi, është tërhequr përballë qëndrimit të palëkundur të drejtuesve zikaltër.
Agjenti i Calhanoglu-t, Gordon Stipic, thuhet se kishte sjellë disa ditë më parë një shprehje interesi nga turqit për ta blerë atë për 17 milionë euro, por nga Turqia vjen lajmi se shifra e ofruar mund të ketë qenë edhe më e ulët – vetëm 10 milionë euro.
Siç ishte raportuar nga mediat italiane ditën e mërkurë, në rast të një arritjeje të suksesshme të marrëveshjes për Osimhen – me nënpresidentin e Galatasarayt, Abdullah Kavukçu, që kishte ardhur në Itali për të rritur ofertën për Napolin dhe për ta mbyllur atë çështje – klubi turk do të tërhiqej nga Calhanoglu. Dhe kështu ndodhi. Në këtë mënyrë tratativa është stopuar, sikundër shkruhet edhe në faqen e parë të prestigjozes italiane “La Gazzetta dello Sport”.

Calhanoglu pra është i destinuar të qëndrojë te Interi, me të cilin ditët e fundit ka pasur një përmirësim të lehtë të marrëdhënieve pas përplasjes që ndodhi me komentet e kapitenit Lautaro Martinez dhe presidentit Beppe Marotta pas eliminimit nga Kupa e Botës për Klube kundër Fluminense.
Numri 20 i Interit do të paraqitet në grumbullimin e 26 korrikut në Appiano Gentile dhe në atë moment do të duhet të qepet “çarja” mes ambientit dhe një lojtari që dukej i gatshëm për t’u larguar. Calhanoglu nuk ka shtyrë për largim dhe as nuk i ka kërkuar klubit të largohet, por nuk është sekret që do të ishte kthyer me dëshirë “në shtëpi”. Ndërkohë, ofertat nga Arabia nuk e kanë joshur kurrë.