E vranë dhe më pas ia hodhën trupin e pajetë pranë liqenit të Shkopetit, ja çfarë tregon autopsia për Renis Dobrën
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen tragjike të 23-vjeçarit Renis Dobra, trupi i të cilit u gjet mëngjesin e së mërkurës (9 korrik) pranë liqenit të Shkopetit.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, autopsia ka konfirmuar se i riu ka humbur jetën nga asfiksia, duke përforcuar dyshimet se ai është mbytur. Ndërkohë, plagët e konstatuara në trupin e tij janë shkaktuar gjatë rënies së automjetit në humnerë.
Ekspertiza mjeko-ligjore ndaj trupit të viktimës po kryhet nga tre mjekë të specializuar. Paralelisht, në liqenin e Shkopetit kanë mbërritur ekspertë të kriminalistikës për të ndihmuar në nxjerrjen e automjetit nga uji dhe për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Renis Dobra ishte raportuar i zhdukur nga familjarët mbrëmjen e së martës (8 korrik), pasi kishte humbur kontaktet me ta. Trupi i pajetë është gjetur nga një banor i zonës mëngjesin e ditës pasuese, pranë liqenit.