Thu, Jul 10, 2025

Nxirret nga liqeni makina e Renis Dobrës, vijojnë hetimet për zbardhjen e krimit

  • PublishedJuly 10, 2025

Nxirret nga liqeni makina e Renis Dobrës, vijojnë hetimet për zbardhjen e krimit

Është nxjerrë mesditën e sotme nga ujërat e liqenit të Shkopetit automjeti i 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u gjet i pajetë një ditë më parë në zonën e Matit. Operacioni u krye nga një ekip palombarësh, ndërsa në vendngjarje mbërritën edhe ekspertë të kriminalistikës për të vijuar hetimet.

Trupi i viktimës u zbulua mëngjesin e 9 korrikut pranë liqenit, me shenja të dukshme dhune në trup dhe në zonën e qafës. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore paraprake, Renis Dobra ishte mbytur dhe më pas ishte hedhur në liqen bashkë me makinën e tij.

Ndërkohë, plagët e konstatuara në trupin e 23-vjeçarit dyshohet se janë shkaktuar gjatë rënies së automjetit në humnerë. Ekspertiza po kryhet nga një grup i përbërë nga tre mjekë ligjorë, të cilët janë angazhuar për të përcaktuar me saktësi shkakun dhe rrethanat e vdekjes.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se hetimet po përqendrohen në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të motivit të krimit. Ende mbetet mister telefoni i viktimës, i cili nuk është gjetur deri më tani. Nuk dihet nëse është marrë nga autorët apo ndodhet brenda automjetit të fundosur.