Pensionet rriten minimalisht, por skema zgjerohet me mijëra përfitues! Ja si ndryshuan pagesat për ata që u futën në skemë
Struktura demografike e Shqipërisë është në një proces të thellë transformimi, me një nga karakteristikat më të theksuara të dekadës së fundit: plakjen graduale, por të pandalshme të popullsisë.
Numri i shtuar i pensionistëve çdo vit dhe të dhënat e reja mbi përfitimet ekonomike të kësaj shtrese sociale dëshmojnë për sfidat që po përballon sistemi ynë i sigurimeve shoqërore dhe shoqëria në tërësi. Vetëm gjatë vitit 2024, mbi 29 mijë qytetarë kanë hyrë në skemën e pensioneve të pleqërisë. Kjo do të thotë se çdo muaj janë lidhur mesatarisht afro 2,400 pensione të reja. Shifrat janë të konsiderueshme dhe tregojnë jo vetëm për rritjen e moshës së popullatës, por edhe për presionin e vazhdueshëm që i ushtrohet buxhetit të shtetit për përballimin e këtyre detyrimeve.
Aktualisht, pensioni mesatar mujor për pensionistët e rinj në vend llogaritet në rreth 17 mijë lekë. Kjo shifër përfaqëson një rritje të lehtë në raport me një vit më parë, por mbetet ende larg nevojave reale të kësaj shtrese të shoqërisë, veçanërisht në kushtet e inflacionit të vazhdueshëm dhe rritjes së çmimeve të produkteve të konsumit, barnave, shërbimeve shëndetësore dhe shpenzimeve të banesës. Nëse pensioni është një mbështetje e domosdoshme për moshën e tretë, ai duhet të jetë gjithashtu i mjaftueshëm për të garantuar një jetesë me dinjitet. Fatkeqësisht, për shumë të moshuar, pensioni nuk mjafton për të mbuluar as nevojat bazë mujore.
HENDEKU NË PËRFITIME
Shifrat tregojnë një diferencë të dukshme në nivelin e pensionit mesatar për burrat dhe gratë. Meshkujt përfitojnë mesatarisht rreth 18 mijë lekë në muaj, ndërsa gratë afro 15.5 mijë lekë. Ky hendek ekonomik nuk është i rastësishëm, por një pasqyrim i drejtpërdrejtë i pabarazisë së vazhdueshme që ekziston në tregun e punës gjatë viteve aktive të jetës. Gratë, për shkak të ndërprerjeve në karrierë, kujdesit për familjen dhe pagave më të ulëta, përfitojnë më pak edhe në pension. Kjo pabarazi ekonomike vazhdon edhe pas daljes nga tregu i punës dhe është një tjetër shqetësim që kërkon vëmendje në politikat publike. Ndërkohë që një pjesë e qytetarëve hyjnë çdo vit në skemën e pensioneve, të tjerë dalin prej saj për shkak të ndarjes nga jeta.
Në vitin 2024, numri i pensioneve të mbyllura ka qenë mbi 15 mijë. Megjithatë, bilanci neto tregon një shtesë prej rreth 13,500 pensionistësh të rinj, që i janë shtuar skemës, duke forcuar më tej strukturën e plakjes së popullsisë.
JETËGJATËSIA PAS PENSIONIT
Një tjetër tregues me rëndësi është kohëzgjatja mesatare që një pensionist përfiton pensionin e pleqërisë. Kjo periudhë llogaritet aktualisht në 22.4 vite. Sado që mund të duket një kohë e gjatë, krahasuar me vitet e mëparshme ka një tendencë uljeje, kryesisht për shkak të rritjes progresive të moshës së daljes në pension. Për burrat, mosha aktuale e daljes në pension është 65.2 vjeç, ndërsa për gratë 61.9 vjeç. Mesatarja për të dyja gjinitë është rreth 63.9 vjeç, një shifër që do të vijojë të rritet në vitet në vazhdim. Të dhënat e fundit zyrtare nga censi 2023 tregojnë se 1 në 4 shqiptarë është mbi 60 vjeç. Ky fakt jo vetëm që konfirmon tendencën e plakjes së popullsisë, por nënkupton edhe një ndryshim rrënjësor në strukturën e kërkesave sociale.
Në vend që shteti të fokusohet vetëm tek arsimi apo punësimi, një peshë gjithnjë më të madhe po zë nevoja për mbështetje të të moshuarve, për shërbime shëndetësore, kujdes afatgjatë dhe politika pensionale më të avancuara. Në këtë kontekst, qeveria ka miratuar së fundmi një plan të posaçëm për menaxhimin e sfidës së plakjes. Plani i moshimit për periudhën 2025–2030 synon përmirësimin e pozitës ekonomike të pensionistëve përmes disa masave konkrete. Ndër më kryesoret janë vendosja e një pensioni të 13-të, rritja graduale e pensionit mesatar deri në 50% si dhe ndryshimi i formulës së indeksimit, për t’u fokusuar më shumë te pensionet më të ulëta. Këto masa, nëse zbatohen me seriozitet dhe mbështetje buxhetore të qëndrueshme, mund të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës për një pjesë të madhe të popullsisë. Megjithatë, sfidat mbeten të shumta dhe komplekse.
Rritja e jetëgjatësisë, emigrimi i të rinjve dhe tkurrja e forcës së re punëtore do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në aftësinë e skemës së sigurimeve për të mbajtur ekuilibrin ndërmjet kontribuuesve dhe përfituesve. Si konkludim, e ardhmja e pensionistëve në Shqipëri do të varet nga vendimet që merren sot. Me një popullsi që po plaket, me ritme migrimi që nuk ndalen dhe me një treg pune të pasigurt, sistemi i pensioneve kërkon reformë të thelluar, ndërhyrje të drejtpërdrejta dhe një qasje më të ndjeshme ndaj shtresave më të pambrojtura. Çdo përmirësim i skemës së pensioneve nuk është vetëm një çështje teknike apo buxhetore, është një çështje dinjiteti njerëzor dhe respekti për punën e një jete të tërë.
/Gazeta Panorama