Thu, Jul 10, 2025

Rubio: SHBA dhe Rusia kanë shkëmbyer ide të reja për paqen në Ukrainë

  • PublishedJuly 10, 2025

Rubio: SHBA dhe Rusia kanë shkëmbyer ide të reja për paqen në Ukrainë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë shkëmbyer ide të reja në lidhje me bisedimet për paqe në Ukrainë, pas një takimi që pati me homologun e tij rus të enjten në Malajzi.

“Mendoj se është një qasje e re dhe ndryshe”, u tha Rubio gazetarëve pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“Nuk do ta cilësoja si diçka që garanton paqe, por është një koncept që, e dini, do t’ia paraqes presidentit”, shtoi ai.

Rubio nuk dha më shumë hollësi rreth kësaj. Ai shtoi se presidenti Donald Trump ka qenë “i zhgënjyer dhe i zemëruar që nuk ka pasur më shumë fleksibilitet nga pala ruse” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Na duhet të shohim një plan të qartë se si mund të përfundojë ky konflikt. Dhe, ne ndamë disa ide se si mund të duket ai”, tha Rubio për takimin 50-minutësh me Lavrovin.

“Do të vazhdojmë të angazhohemi aty ku shohim mundësi për të bërë ndryshim”, theksoi ai.

Rubio dhe Lavrov zhvilluan bisedime në Kuala Lumpur në kuadër të Forumit Rajonal të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), i cili bashkon 10 anëtarët e ASEAN-it dhe partnerët e tyre më të rëndësishëm diplomatikë, përfshirë Rusinë, Kinën, Japoninë, Korenë e Jugut, vendet evropiane dhe SHBA-në.

Ky ishte takimi i tyre i dytë prej se Rubio e mori detyrën, megjithëse ata kanë folur disa herë në telefon. Takimi i tyre i parë u zhvillua në shkurt në Riad të Arabisë Saudite, ndërsa administrata Trump po testonte gatishmërinë e Rusisë dhe Ukrainës për të bërë paqe.

Takimi i së enjtes ndodhi pak pasi SHBA-ja rifilloi dërgesat e armëve mbrojtëse për Ukrainën pas një ndërprerjeje, zyrtarisht për t’i shqyrtuar rezervat e brendshme të municioneve – një veprim që u përshëndet nga Moska.

Nisja e ridërgimit të ndihmave vjen në një kohë kur Rusia ka shpeshtuar dukshëm sulmet ajrore ndaj Ukrainës dhe derisa presidenti Trump ka shfaqur zemërimin e tij me presidentin rus, Vladimir Putin./REL/