“AlbControl” e ARRSH, si e “fryu” Belinda Balluku me tendera firmën “Alko Impex” të Arbër Abazit! Vetting zbardh skemën
“VETTING”/ Më 27 dhjetor 2017, kompania shtetërore “AlbControl” do të lidhte kontratën për “Rehabilitimi i Kullës së Kontigjencës” me kompaninë fituese “ALKO-IMPEX General Construction” sh.p.k me vlerë 371 mijë euro.
Lidhja e marrëveshjes vazhdoi më tej duke akorduar edhe një shtesë kontrate në 2018 me vlerë 4.7 milionë lekë. Nga dokumentet zyrtare rezulton se ky tender është firmosur vetë personalisht në kundërshtim me ligjin asokohe nga zv.kryeministrja Balluku, me numër protokolli 2317/4, në 27 dhjetor 2017. Në kontratë parashikohet se “ALKO-IMPEX General Construction” e administruar nga Arbër Abazi dhe në pronësi të Imer Ademit do të merrte pagesën paraprake për 70 % të vlerës totale të kontratës. Në informacionet e siguruara nga “Vetting” rezulton se në ditën që është firmosur kontrata, AlbControl-i ka bërë një urdhërtransferte me faturë tatimore nr. 117 me seri 51770495 duke realizuar paradhënie në shumën 31,3 milionë lekë për kompaninë “ALKO-IMPEX General Construction”, gjë e cila është në shkelje të ligjit të Prokurimeve Publike sipas Dokumenteve Standarde të këtij tenderi. Ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit që do të zbulonte shkelje të tjera te kjo kontratë pasi ka pasur probleme me zbatimin, të cilat konfirmojnë indiciet për favorizim nga ministrja Belinda Balluku. Konkretisht në kontratën e firmosur midis palëve ka pasur punime me vlerë 2.3 milionë lekë ose 23 mijë euro, të cilat bien në kundërshtim me kushtet e kontratës. Pra, të tjera gjëra deklarohen në marrëveshje dhe të tjera gjëra janë realizuar nga kompania. Këto shifra janë të ulëta në krahasim me ato që do të siguronte kompania e klonuar, e cila është në pronësi të Arbër Abazit, nipi i ishdeputetit socialist Sadri Abazi.
Sipas burimeve mediatike, Arbër Abazi aksioneri i “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” dhe administratori i kompanisë “ALK0-IMPEX General Construction” rezulton të ketë lidhje të afërta me ministren e Infrastrukturës, njëkohësisht zv/ kryeministren Belinda Balluku, të cilat hedhin dyshime për konflikte interesi.
Kompanitë e Abazit kanë marrë dhjetëra miliona euro tendera nga buxheti i shtetit, duke shkelur Ligjin e Prokurimeve Publike dhe Ligjin “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
Sipas avokatit Arben Llangozi, rastet e denoncuara në media duhet të verifikohen nga Prokuroria e Posaçme për të hedhur dritë mbi këto ngjarje.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit realizon auditim të gjithanshëm dhe rastet e evidentuara nga ky institucion duhet të jenë objekt i hetimeve nga SPAK-u”, tha për “Vetting” avokati Llangozi.
Në listën e institucioneve që kanë furnizuar me para publike këto kompani, kryeson Autoriteti Rrugor Shqiptar, i ndjekur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, institucione të cilat kanë varësi nga ministrja dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, ku drejtuesi i ARRSH-së propozohet nga vetë Balluku. Lidhjet e dyshimta financiare të Arbër Abazit me favorizime nga zv/kryeministrja e kanë zanafillën që nga koha e AlbControlit, periudhë në të cilën u rrit ndikimi i Ballukut brenda Partisë Socialiste. Sipas kryetarit të lëvizjes Politike “Nisma Thurje” Endrit Shabani, sot që flasim disa nga kompanitë që operojnë në fushën e prokurimeve publike kanë monopolizuar të gjithë kapitalin shtetëror me favorizime nga segmente të caktuara të klasës politike.
“ALKO IMPEX” DHE BALLUKU, NJË SUKSES PARALEL
Historia e kompanisë Alko e ka fillesën në nëntor të vitit 2012, kur pronari i “KLEDOR ALBANIA-09”, Tabir Hysa, sot e quajtur “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” do të pezullonte aktivitetin e kompanisë, e cila kishte vetëm 3 vite që operonte në tregun shqiptar. Disa muaj pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, në dhjetor 2013, Arbër Abazi do ta blinte këtë kompani me vlerë 100 mijë lekë.
Duhet theksuar se gjenialiteti i biznesmenit të ri do të qëndronte në ndryshimin e emrit të kompanisë, duke e quajtur “ALKO IMPEX CONSTRUCTION”. Pra, kompania e re me emër do të ishte një klon i kompanisë “ALKO-IMPEX General Construction”, duke krijuar një rrëmujë informative, si në institucionet publike, por edhe në hapësirën mediatike. Ka qenë kjo ngjashmëri me emrat, e cila ka tërhequr vëmendjen për të kontrolluar tenderat që janë fituar nga këto kompani, për të verifikuar nëse kemi shkelje ligjore.
Në janar 2018, Bashkia Devoll do të finalizonte tenderin pa garë për pastrimin e zonave të Bashkisë me ofertë fituese 98 milionë lekë ose rreth 1 milion euro. Sipas Buletinit të Prokurimeve Publike, ky tender është fituar nga “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” sh.p.k me numër nipti “K91628013D”. Pra, kompania që nuk ka qenë aktive ka fituar tenderin për pastrimin. Por a kemi të bëjmë me një gabim njerëzor apo të qëllimshëm?
Dy indicie, përbëjnë një provë thonë italianët. Bashkia Devoll nuk është e vetmja, që ka shpallur fituese një kompani, e cila ka qenë e pezulluar, por kësaj liste i bashkohet edhe Ministria e Mirëqenies dhe Sipërmarrjes së Lirë. Në maj 2017, kjo ministri do të shpallte fitues për tenderin “Rikonstruksion i shkollës “Ali Myftiu Elbasan” me ofertë 81 milionë lekë “ALKO IMPEX” sh.p.k, pa specifikuar numrin e niptit. Gara u shënua me flamur të kuq sepse dy kompanitë e tjera, që kishin bërë ofertë më të ulët u skualifikuan nga institucioni, duke shfaqur indicie për favorizim fituesi. Dy muaj më pas në buletinin zyrtar, kompania që kishte lidhur kontratën do të shfaqej përsëri “ALKO IMPEX” shpk, me numrin e niptit të “ALKO IMPEX CONSTRUCTION”. Në të paktën, dy raste kompania e cila ka qenë me status të pezulluar, ka fituar dy tendera nga dy institucione të ndryshme. Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania do të rifillonte aktivitetin në 14 korrik 2018. Sipas avokatit Llangozi, nëse këto raste janë të vërteta, edhe titullarët e institucioneve duhet të hetohen dhe të ndiqen penalisht. “Sipas Ligjit të Prokurimeve Publike, ekstraktet e kompanive duhet të verifikohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe është e habitshme se si mund të shpallen fituese kompani që nuk janë funksionale”, u shpreh avokati Llangozi.
“FANTAZMAT E UNAZËS”
Nga fundi i vitit 2018 do të plaste skandali me tenderin e Unazës së Madhe, tender i cili i kushtoi disa drejtorë qeverisë shqiptare duke “sakrifikuar” edhe ish-ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri. Do të ishte pikërisht ky skandal që do të largonte nga detyra Gjiknurin për t’u zëvendësuar në 17 janar 2019 nga ish-vartësja e tij, drejtoresha e AlbControlit Belinda Balluku. Pikërisht nga viti 2018 deri në vitin 2019, kompania “Alko Impex Construction” do të shumëfishonte të ardhurat nga 28 milionë lekë në 354 milionë lekë, ose gati 3.6 milionë euro të ardhura në vit nëpërmjet fondeve publike. Sipas kryetarit të Shoqatës së Gjeodetëve inxhinierit Romeo Nazarko, në rastin e Autoritetit Rrugor Shqiptar kemi raste të korrupsionit me tenderat e rrugëve. “Kemi rastin e Unazës së Tiranës me kompaninë amerikane, të cilët ne (Shoqata e Gjeodetëve) e kemi denoncuar”, tha për “Vetting” inxhinieri Nazarko. Ngritja në detyrë e Ballukut nga Drejtoreshë e AlbControl, në ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë do të shoqërohej paralelisht me zhvillimin ekonomik të “ALKO IMPEX CONSTRUCTION”
Mallkimi i tenderave të Unazës së Tiranës me fondet e ARRSH-së nuk do të mbyllej me kaq, pasi ashtu si paraardhësi i saj Gjiknuri, edhe Balluku do të ishte pjesë e një skandali për paracaktimin e fituesve me institucionet në varësi të saj. “Vetting” ka zbuluar afera të tjera që lidhen me tenderin e mirëmbajtjes dhe tenderin e Unazës së Jashtme të Tiranës. Më 11 prill 2022, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të hapte garën për Marrëveshjen Kuadër për mirëmbajtjen e rrugëve të Rajonit Verior dhe Qendror me fond limi 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë euro. Ky tender do të njollosej nga gara pa garë, pasi në 6 Qershor 2022 dy kompanitë “Alko” që administrohen nga Arbër Abazi do të fitonin tenderin pa pasur asnjë konkurrent, duke u shënuar me flamur të kuq. Sipas platformës “Openprocurement.al” të AIS-it, kjo procedurë paraqet dyshime për korrupsion dhe favorizime nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Nga verifikimi i kushteve për të fituar tenderin, “Vetting” ka zbuluar se dy kompanitë nuk plotësojnë kushtin 2.2.1, të cilat lidhen me kapacitetet ekonomike dhe financiare të kompanive që marrin pjesë në garë. Sipas pikës 2.2.1, “për të provuar kapacitetet financiare dhe ekonomike, Operatorët ekonomikë duhet të paraqesin vërtetim nga administrata tatimore, për xhiron vjetore për vitet financiare 2018, 2019, 2020, ku vlera e xhiros për të paktën një nga vitet e periudhës së kërkuar duhet të jetë jo më e vogël se vlera e parashikuar e kontratës që prokurohet”. Në rastin konkret, duke bashkuar të dyja xhirot e kompanive, në qoftë se përllogarisim xhirot maksimale për këto vite, zbulojmë se në asnjë moment ato nuk arrijnë xhiron vjetore totale 1.4 miliardë lekë, e cila është edhe vlera e fondit limit.
KOMPANITË FITUESE
Në vend që t’i skualifikonte kompanitë dhe të anulonte tenderin, ish-Drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi ka bërë të kundërtën duke shpallur fituese kompanitë në kundërshtim me ligjin e Prokurimeve Publike. Sipas avokatit Llangozi, shqetësimi i ngritur nga drejtuesi i SPAK Altin Dumani për mungesën e kallëzimeve nga institucionet shtetërore është një problem që nuk ka marrë zgjidhje. “Rastet e shkeljes së procedurave të tenderave janë të shumta, por institucionet nuk denoncojnë, gjë e cila është evidentuar edhe nga drejtuesi i SPAK-ut Altin Dumani”, deklaroi avokati Llangozi.
VERDHO DHE BERBERI
Në maj 2018, kompania “ALKO-IMPEX General Construction” dhe “2 T” sh.p.k do të themelonin kompaninë koncesionare “ECO CLEANING”, e cila do të ndryshonte dhe pozitat e këtyre kompanive në tregun shqiptar, të cilat më së shumti veprojnë në fushën e ndërtimit të rrugëve dhe mbetjeve. Në këtë rast “2T” dhe “ALKO-IMPEX General Construction” zotërojnë një kompani koncesionare, e cila ka lidhur kontratë pastrimi me Bashkinë Kamzë. Ky bashkim operatorësh do të ndryshonte edhe kushtet e garës për këto kompani, pasi të dyja do të garonin për tenderat e shpallur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Nga kërkimi i “Vetting” rezulton se këto kompani do të garonin disa herë në të njëjtin tender, duke shkelur vetë kushtet e pranimit.
“Vetting” ka zbuluar se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave te Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka evidentuar lidhjen midis dy kompanive, të cilat janë në shkelje të ligjit. Edhe pse kanë shkelur disa herë kushtet e dokumenteve standarde, edhe pse janë shpallur fituese nga institucioni që varet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, përsëri ky fakt nuk është bërë evident, as nga Autoriteti Rrugor Shqiptar që duhet t’i kishte skualifikuar, as nga Autoriteti i Konkurrencës. Sipas Ligjit nr. 9121 dt 28.7.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, neni 10, përqendrime të ndërmarrjeve kemi në rastet kur shkaktohet një ndryshim i qëndrueshëm i kontrollit si rrjedhojë e bashkimit të dy ose më shumë ndërmarrjeve ose pjesë ndërmarrjesh të pavarura nga njëra–tjetra. Në këtë rast, sipas nenit 12, të po këtij ligji, njoftimi duhet të bëhet kur xhiroja vjetore në tregun e brendshëm e bashkimit të këtyre dy kompanive arrin më shumë se 400 milionë lekë ose njëra prej këtyre kompanive duhet ta ketë xhiron në tregun e brendshëm mbi 200 milionë lekë. Të dyja kompanitë kanë xhiro vjetore më të lartë se 400 milionë lekë dhe për të verifikuar rastin, “Vetting” kontaktoi Autoritetin e Konkurrencës nëse këto kompani kishin bërë njoftimin, që e kanë detyrim ligjor për krijimin e një kompanie të re si bashkim ndërmarrjesh. Në kthim-përgjigje për “Vetting”, Sekretari i Përgjithshëm, Endri Çekani deklaroi se rasti do të merrej në shqyrtim, duke sqaruar se do të ketë masa në rast të mungesës së njoftimit.
Për “Vetting”, Autoriteti i Konkurrencës konfirmoi se të dyja kompanitë nuk kishin bërë njoftimin, pra ishin në shkelje, por duke qenë se kanë kaluar më shumë se 5 vite nga këto raste, sipas nenit 78, pika 2, vendosja e gjobave u nënshtrohet afateve të parashkrimit sipas rastit në nenin 74 të ligjit të Konkurrencës. Pra, gjoba u falet kompanive sepse rasti është evidentuar shumë vonë, edhe pse në këtë rast miliona euro janë fituar duke dëmtuar konkurrencën.
Por ka një problem, kontratat publike janë firmosur në vitin 2020 dhe 2021 dhe për këtë duhet të reagojë jo vetëm Autoriteti i Konkurrencës, por edhe Agjencia e Prokurimeve Publike pasi kemi hapur një shkelje që nuk mund të amnistohet. Në të paktën 4 raste, “Vetting” ka konstatuar se bashkimi i kompanive “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” dhe “ALKO-IMPEX General Construction” kanë garuar, në të njëjtat tendera me kompaninë “2 T” sh.p.k, kompani me të cilën Arbër Abazi rezulton i lidhur nëpërmjet kompanisë “ECO-CLEANING”.
Rasti i parë lidhet me Marrëveshjen Kuadër për mirëmbajtjen me performancë e rrugëve të Rajoni Qendror, Loti 6 me fond limit 302 milionë lekë me afat 48 muaj. Gara për tenderin u shpall në korrik 2020, ku të vetmit që garonin për fondet publike ishte konsorciumi i “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” dhe “ALKO-IMPEX General Construction” kundra kompanisë “2 T” sh.p.k. Më 12 tetor 2020, Ergys Verdho do të shpallte fitues të kontratës me ofertë 301 milionë lekë ose 3 milionë euro bashkimin e kompanive, që menaxhohen nga Arbër Abazi. Në vend të dytë, do të renditej “2 T” sh.p.k, me ofertë 400 mijë lekë më pak se bashkimi i operatorëve ALKO.
*******
Tenderat e mirëmbajtjes së rrugëve nga Veriu në Jug në duart e “Alko ImpeX”
Në korrik 2020, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të shpallte thirrje për tenderat e mirëmbajtjes, ku një ndër përfituesit kryesorë do të ishin kompanitë e Arbër Abazit.
“Vetting” ka zbuluar se për këta tendera, për të cilët ka pasur ankesë edhe te Komisioni i Prokurimit Publik janë shpallur fituesit nga ish drejtori i ARRSH-së Ergys Verdho, njeri i afërt me Ballukun, i cili ka kaluar administrator te Hekurudha shqiptare. Nga këto kontrata, për lotin 4, 12 dhe 13 ka pasur ankesa nga kompanitë konkurruese, duke pretenduar se në disa raste janë favorizuar nga Ergys Verdho. Sipas inxhinierit Romeo Nazarko, probleme me Autoritetin Rrugor Shqiptar lidhet me mënyrën se si funksionon Bordi i këtij institucioni. Tenderi i parë lidhet me mirëmbajtjen e rrugëve të Rajonit Verior, Loti XII: “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga “Kuben- Vasie” me fond limit 117 milionë lekë. Nga mesi i dhjetorit 2020, Verdho do të shpallte fitues kompanitë “ALKO” me ofertë 114 milionë lekë, me ofertë më të lartë se kompania tjetër “DODA R”, e cila kishte ofruar 113 milionë lekë, ose 1 milionë lekë më pak se kompanitë “ALKO”. Kompania “DODAR” do të paraqiste ankesën te ARRSH-ja se vlerësimi me pikë ishte i padrejtë, duke nënvizuar faktin se vlerësimi për ofertën më ekonomike zë peshën kryesore, si edhe kishte të njëjtën eksperiencë në realizimin e kontratave të tilla. Gjithsesi bie në sy fakti se ARRSH-ja, i ka kërkuar kësaj kompanie që të paraqitet pranë zyrave qendrore për ankesën, ndërkohë që mund të ishte bërë procesi në mënyrë elektronike për shkak të pandemisë. Ashtu si ARRSH-ja, edhe Komisioni i Prokurimit Publik ka refuzuar ankesën e kompanisë.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Marrëveshjen Kuadër për mirëmbajtjen e rrugëve të Rajonit Verior, Loti XIII: “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga “Peshkopi – Ura e Muhurit, Ura e Muhurit – Draj Reç (Kufi me Kukësin), Peshkopi- Ushtelence” me fond limit 112 milionë lekë. Ky tender është fituar nga bashkimi i kompanive “ALKO” me ofertë 109 milionë lekë, përsëri me ofertë më të lartë se kompania garuese, në këtë rast “SIRETA -2F” shpk. Kjo e fundit ka paraqitur ankesë, por vendimi i Ergys Verdhos nuk është ndryshuar, duke i dhënë përsëri fonde publike kompanive të lidhura me Arbër Abazin, ku nuk mungojnë edhe fondet e akorduara nga Evis Berberi. Sipas kryetarit të Shoqatës së Gjeodetëve inxhinier Romeo Nazarko, tenderat e mirëmbajtjes kanë të njëjtën skemë si tenderat e tjetër të Autoritetit Rrugor Shqiptar. “Ne shohim plot rrugë në jug dhe në veri të Shqipërisë që nuk mirëmbahen. Por ky nuk është problemi më i madh pasi rreziku real janë rrugët që kanë defekte në projektim, tek të cilat shoferët e rinj rrezikojnë shumë. Po nuk folëm sot, nesër do të jetë tepër vonë për brezat që po vijnë”, tha për “Vetting” inxhinieri Nazarko. Por a po mirëmbahen rrugët nga kompanitë “Alko”? Një nga tenderat e mirëmbajtjes që ka shfaqur probleme me zbatimin është kontrata për mirëmbajtjen e rrugëve të Rajonit Qendror, Cërrik – Shalës – Belsh – Vlashuk, Belsh – Fierzë – Kosovë e vogël. Nga verifikimet e “Vetting” rezulton se një pjesë e kësaj rruge nuk është mirëmbajtur duke shkelur rregullat e mirëmbajtjes. Në kontratën e nënshkruar mes ARRSH-së dhe kompanive “ALKO” kërkohet që të vendoset sinjalistika, të rehabilitohet rruga dhe të rregullohet pjesa e bimësisë që devijon në rrugë. Por kjo rrugë, e cila ka lëvizje është lënë në harresë, duke ngritur pikëpyetje për sigurinë.
“ALKO IMPEX”, FALSIFIKUES DOKUMENTESH
ALKO është eliminuar në disa tendera sepse ka falsifikuar dokumentet për të fituar garën, por në disa raste ka arritur të fitojë tenderat, duke mos plotësuar kushtin për xhiron vjetore. Ka qenë tenderi për “Ndërtim trotuari përgjatë rrugës nacionale (ndriçim, gjelbërim” Përrenjas i organizuar nga Bashkia e Përrenjasit në vitin 2017, ku sipas dokumenteve të siguruara nga “Vetting”, kompania “Alko Impex General Construction” ka paraqitur dokumente të falsifikuara për punime të ngjashme. Konkretisht, kjo kompani, e cila e ka bazën në Kosovë dhe ka si aksioner Imer Ademin dhe administrator Arbër Abazin, ka paraqitur si shembull i një pune të ngjashme për tenderin që garonte, kontratën me Ministrinë e Infrastrukturës në Kosovë me vlerë 3.5 milionë euro. Por Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka komunikuar me Ministrinë e Infrastrukturës në Kosovë, ku ka zbuluar se kontrata e lidhur nga kompania ishte me vlerë 153 mijë euro, gjë e cila e skualifikon automatikisht kompaninë. Asnjë masë nuk është marrë ndaj kompanisë, e cila nuk e ka herën e parë që ka falsifikuar dokumentet për të garuar dhe për të fituar tenderat publikë.
Nga të dhënat zyrtare rezulton se kompanitë “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” dhe “ALKO-IMPEX General Construction”, në shumicën e rasteve kanë dalë të fituara nga ankesat te Komisioni i Prokurimit Publik, nën drejtimin e Jonaid Myzyrit. Por teksa Evis Berberi ndodhet në burg për akuzat me tenderat dhe pastrim parash, para disa ditësh është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK për korrupsion edhe kreu i KPP-së Jonaid Myzyri për një nga tenderat e ARRSH-së duke u pezulluar nga detyra. Disa nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ballukut janë arrestuar ose janë nën hetim nga SPAK, por shkeljet e kësaj kompanie dhe favorizimet nga zv/kryeministrja Balluku qëndrojnë larg shqetësimeve të Drejtësisë, ku mos të harrojmë se dita ditës këto kompani fuqizohen ekonomikisht në dëm të konkurrencës. “Vetting” ka bërë një kërkesë për informacion në Prokurorinë e Posaçme për sa i përket ecurisë së hetimeve për denoncimin ndaj Ballukut nga gazetari i ndjerë Kastriot Myftaraj.
Në kthimpërgjigje për “Vetting”, SPAK ka zbuluar se në 10 nëntor 2021 ka regjistruar kallëzimin penal nr. 303, për veprën penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal nga shtetasi Kastriot Myftaraj ndaj shtetases Belinda Balluku. Por sipas të dhënave mediatike, i ndjeri Myftaraj është paraqitur në SPAK në 3 nëntor 2021, ndërkohë ka një javë diferencë midis padisë dhe regjistrimit të saj në regjistrin e SPAK-ut. Prokuroria e Posaçme do të zbulonte se po në të njëjtën datë, më 10 nëntor 2021, i ndjeri Myftaraj ka paraqitur një kërkesë për t’u tërhequr nga kallëzimi i tij ndaj ministres Balluku. Në përgjigje SPAK deklaron se pavarësisht tërheqjes nga kallëzimit të Kastriot Myftaraj, ka vazhduar me verifikimet. Por ajo që ka shtuar dyshimet dhe misterin me këtë rast është fakti se brenda 4 ditësh në kohë rekord SPAK ka sqaruar çdo gjë, pasi sipas Prokurorisë së Posaçme janë kryer verifikimet e kallëzimit nga Myftaraj duke vendosur mosfillimin e procedimit penal më 15 nëntor 2021 pasi pretendimet e të ndjerit nuk kishin elementë penalë të falsifikimit./Gazeta Panorama