Fri, Jul 11, 2025

INTERVISTA/ “Egnatia mund të bëjë historinë”, Mehmeti “skanon” ekipet shqiptare në Evropë: Ja problemet e Partizanit dhe Vllaznisë (VIDEO)

  • PublishedJuly 11, 2025

INTERVISTA/ “Egnatia mund të bëjë historinë”, Mehmeti “skanon” ekipet shqiptare në Evropë: Ja problemet e Partizanit dhe Vllaznisë (VIDEO)

Tre nga katër ekipet shqiptare nisën aventurën evropiane me shpresën dhe objektivin për të shkuar sa më larg. Egnatia fiton dhe bind në Champions, Partizani merr një rezultat pozitiv në Talin, por zhgënjen Vllaznia. Për të analizuar këtë fillim aventure në Evropë ditën e sotme në “Sport News”, ishte i ftuar special trajneri Dritan Mehmeti

 

-Tani, e nisim nga Champions, si e pe Egnatian, të bindën ndaj Breidablik?

“Mendoj që Egnatia është skuadra më e organizuar nga ekipet që na përfaqësojnë në Europë. Janë në rrugën e duhur, kanë të gjitha mundësitë për t’u kualifikuar. Nëse përgatiten siç duhet, sidomos në aspektin psiko-taktik për ndeshjen e radhës, do të kenë shumë shanse për të bërë një hap historik.”

 -A mund të shkoj larg Egnatiav A i ka elementët e duhur, pjekurinë, për të kapur fazën e grupeve të një turneu të UEFA-s?

“Besoj se po. Janë një ekip i pjekur dhe serioz, me investime të mirëmenduara dhe menaxhim të kujdesshëm. Me afrimin e një sulmuesi cilësor, Egnatia ka shanse reale për të arritur në fazën e grupeve të Conference League. Do të ishte madhështore, jo vetëm për Egnatian, por për të gjithë futbollin shqiptar.”

-Një rezultat pozitiv arriti Partizani, në letër besoj qëndron një barazim 1-1 ndaj Kalju, si tu duk Partizani?

“Është një rezultat pozitiv. Me ndihmën e tifozëve në ndeshjen e dytë kanë shanset për t’u kualifikuar, por duhet të tregohen të kujdesshëm. Stafi ka marrë informacionet e nevojshme pas ndeshjes së parë dhe lojtarët e ardhur kanë potencialin për të fituar automatizmin e nevojshëm. Shpresoj ta kalojnë turin, sepse do të ishte një bonus për futbollin tonë.”

 -Pavarësisht rezultatit, ka diçka që nuk bind plotësisht, çfarë i mungon në këndvështrimin tënd?

“Mungon stabiliteti në boshtin e skuadrës. Në pozicione të rëndësishme si mbrojtja dhe qendra e  mesfushës , ka pasur shumë lëvizje që nuk kanë qenë gjithmonë të goditura. Partizanit i duhen dy-tre mesfushorë me eksperiencë dhe cilësi për të bërë diferencën. Largimet e lojtarëve si Maguette apo Rrapaj kanë lënë boshllëk dhe nuk është e thjeshtë për t’i zëvendësuar. Koha është një faktor, por edhe zgjedhjet duhen bërë me kujdes.”

 -Sa shanse i jep për të kaluar këtë tur, dhe a mund të shkoj larg në Evropë ky ekip?

“Skuadra ka kaluar një tranzicion dhe po stabilizohet. Po rritet. Vetëm fakti që po aktivizohen lojtarë nga akademia është shumë pozitiv. Po ndërtohet një cikël i ri dhe kjo është filozofia e duhur. Por për të qenë konkurrues edhe në Europë, duhet të përforcojnë mesfushën. Me një bërthamë solide, mund të luftojnë edhe për titullin në kampionatin e ardhshëm.”

 -Një humbje zhgënjyese pësoi Vllaznia ndaj letonezëve të Daugavpils, ishin favorit absolut në leter në fillim, i mungoi Shkodra më duket…

“Tifozeria shkodra është shumë e ndjeshme dhe e lidhur me skuadrën. Ndaj eshte negative qe Vllaznia nuk e shfrytëzoi këtë bonus, pavarësisht se ndeshja nuk luhej në Shkodër. Por nuk është një justifikim gjithsesi. Kishte përballë një kundërshtar që, edhe nga ajo që pamë në Elbasan, nuk ishte në nivelin e skaudrës shkodrane, ata bën  vetëm një goditje në portë dhe fituan. Mendoj se Vllaznia nuk e interpretoi siç duhet ndeshjen”.

-E sheh jashtë tani, i zvogëlon kjo humbje shanet për t’u kualifikuar?

“Goli i pësuar e ka penalizuar shumë skuadrën. Nëse ndeshja do të kishte përfunduar 0-0, nuk do të ishte dramë. Por tani janë nën presion dhe duhet të menaxhojnë me kujdes aspektin psikologjik dhe atë taktik. Nuk duhet të pësojnë në ndeshjen e kthimit. Nëse arrijnë të shënojnë që në pjesën e parë, gjithçka do të jetë më e lehtë. Futbolli na ka mësuar se edhe rezultatet më të vështira mund të përmbysen, ndaj gjithçka mbetet e hapur.”


AlbaniaWeb.net