Kosto të rënda dhe rezultate të pakta kundër pastrimit të parave
PROF. DR. ARBEN MALAJ
Pastrimi i parave është krim që ushqen krimin e organizuar, korrupsionin, kapjen e shtetit dhe terrorizmin. Por, pavarësisht këtij konsensusi mbi rrezikshmërinë e tij, efektiviteti i luftës kundër pastrimit të parave është zhgënjyes dhe me një kosto financiare shumë të rëndë. Ndërkohë që rregullatorët globalë vendosin rregulla shtesë kontrolli, bankat, institucionet financiare dhe klientët e tyre po paguajnë një çmim gjithnjë e më të rëndë për një sistem që, sipas shumë ekspertëve dhe statistikave, ka dështuar. Statistikat janë alarmante dhe vërtetojnë dështime të rënda. Sipas UNODC, çdo vit pastrohen 800 miliardë deri në 2 trilionë dollarë, ose rreth 2–5% të PBB-së globale. Në nivel global zbulohen dhe rikuperohen më pak se 1% e parave të pastruara. Kostoja jo vetëm e bankave për t’i gjurmuar dhe rikuperuar ato është 100 herë më e lartë se shumat e rikuperuara.
Sipas studimeve të Ronald F. Pol (La Trobe University), ndërhyrjet aktuale të politikave AML kanë një ndikim më të vogël se 0.1%. Raportet e konfiskimeve në SHBA në vitin 2019 ishin rreth 2.2 miliardë dollarë, kurse kostot e rikuperimit kalojnë 26 miliardë dollarë. (Lexis Nexis Risk Solutions). Rregulltorët e LKPP në Holandë janë shumë të ashpër, por sërish rezultatet janë zhgënjyese. Një në pesë punonjës në bankat holandeze është pjesë e ekipeve për menaxhimin e funksioneve AML; sistemet për monitorimin e transaksioneve dhe alarmeve kërkojnë miliona euro për implementim, licenca dhe mirëmbajtje. ING më 2018 pagoi 775 milion euro për mangësi në kontrollin AML, ABN AMRO në 2021 pagoi 480 milionë euro, HSBC (2012) u gjobit $1.9 miliardë për pastrim parash të kartelit meksikan; Deutsche Bank (2017) u gjobit me 630 milionë dollarë; Wells Fargo (2020) me 3.7 miliardë dollarë; Danske Bank (2018): përfshirje në pastrim të 200 miliardë dollarëve. Por këto penalitete nuk rezultojnë ndikuese në parandalimin për të reduktuar pastrimit të parave.
Përveç gjobave, bankat kanë edhe katër kosto të rënda: (a) cenimi reputacional; (b) ulje të aksioneve në bursë dhe (c) rritje të hezitimit të investitorëve potencialë dhe (d) përkeqëson perceptimin publik. Kosto shtesë rëndojnë drejtpërdrejt mbi depozituesit, kredimarrësit dhe përdoruesit e zakonshëm të shërbimeve bankare. Në tetor, lufta kundër pastrimit të parave ka si përfitues publikun dhe sigurinë kombëtare. Por në praktikë, humbësit kryesorë janë klientët që paguajnë tarifa shumë të larta, kredi më të shtrenjta dhe përballen me procedura të ngadalta dhe burokratike, që shpesh nuk i ndihmojnë as bankat të identifikojnë rrezikun real. Për më tepër, bankat, për të mbrojtur veten nga penalitetet e rënda, janë gjithnjë e më të ngurta në ofrimin e kredive dhe shërbimeve për biznese të vogla dhe individë pa histori të plotë formale financiare – duke rritur përjashtimin financiar, i cili ushqen informalitetin deri edhe kriminalitetin. Institucionet përgjegjëse nuk luftojmë në mënyrë efikase pastrimin e parave, por e ushqejmë atë edhe nëpërmjet përjashtimit financiar.
Kush po i paguan kostot e rënda të kësaj luftë të humbur? Duhet të pranojmë edhe publikisht se, në kushtet kur zbulohen dhe rikuperohen më pak se 1 për qind e parave të pastruara, kemi dështuar të gjithë si në nivel kombëtar, europian dhe global. Në mënyrë figurative, në një fushë beteje kundër pastrimit të parave “100 ushtarakë madhorë” nga të gjitha agjencitë dhe institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare kanë përballë “100 kriminelë pastrues” të parave kriminale. Ushtarakët madhorë mezi vrasin vetëm një prej tyre. 99 largohen buzagaz dhe më të inspiruar se kurrë nga ky dështim. Kostot e AML janë barrë për: (i) Konsumatorët e shërbimeve financiare përmes tarifave dhe normave më të larta interesi; (ii) Bizneset e vogla: përmes procedurave më të vështira për akses në kredi; (iii) Individët me të ardhura të ulëta: përmes përjashtimit financiar dhe (iv) Shtetet me institucione të dobëta: përmes mbingarkesës burokratike dhe varësisë nga teknologjitë e shtrenjta. Ndikimet në privatësi dhe liritë individuale. Ndërsa sistemet e AML po përforcohen, kufijtë e mbikëqyrjes po dëmtojnë rëndë kufijtë e privatësisë.
Rrezikohet të ndërtohet një sistem oruellian i mbikëqyrjes së gjerë që cënon privatësinë e qytetarëve, edhe pse nuk ka prodhuar efekte të matshme në uljen e kriminalitetit financiar. Nevoja për riformatim strategjik dhe përdorim të inteligjencës artificiale. Nuk propozohet dobësimi i luftës kundër pastrimit të parave, por një reformim i thellë që fokusohet në: (i) Përdorim të inteligjencës artificiale për analizë të avancuar të të dhënave;(ii) Automatizim të procedurave KYC dhe raportimit të transaksioneve të dyshimta;(iii) Përdorim më efektiv të teknologjisë për të reduktuar ndërhyrjen manuale dhe kostot e personelit; (iv) Koordinim dhe centralizim më i mirë i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare; (v) Matje reale të efektivitetit të çdo norme apo sistemi të ri të AML-së. Kërkohet një qasje e re: nga lufta teknike në betejë për drejtësi sociale dhe zhvillim. Në vend që AML të trajtohet vetëm si çështje teknike, duhet të shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë për zhvillim të qëndrueshëm, drejtësi sociale dhe mbrojtje të konsumatorëve.
Përndryshe, po ndërtojmë një sistem që e vendos barrën te më të dobëtit, ndërsa krimi i organizuar vazhdon të përfitojë. Nëse një sistem vlen miliarda për t’u zbatuar, por sjell më pak se 1% rezultate konkrete, duhet të pyesim veten: si ta mundim këtë dështim? Lufta kundër pastrimit të parave është një kauzë e drejtë. Por nëse ajo po dështon, duhet rishikuar gjithçka në kuadrin ligjor dhe institucional, për të mos e bërë edhe vetë sistemin tonë financiar një viktimë të vetes. Një dështim kaq i thellë dhe kaq i qartë imponon: thjeshtësim të procedurave, ulje të kostove jo vetëm materiale për klientët e bankave, reduktim të skemës institucionale të ekosistemit të institucioneve për pastrimin e parave, ku bankat janë përgjegjëse vetëm për dërgimin 100 për qind të saktë dhe në kohë reale të çdo informacioni tek institucioni përgjegjës i inteligjencës financiare.
I cili duhet të jetë i vetmi institucion koordinues, kontrollues dhe parandalues i pastrimit të parave. Tendenca e përsëritur e rritjes së rregullave vetëm zgjat dështimin dhe nxit korruptimin e bankave. Bankat duhet të jenë përgjegjëse vetëm për rastet kur fshehin dhe nuk raportojnë rastet korruptive të pastrimit të parave. Inteligjenca Artificiale do të ulë ndjeshëm kostot, do të reduktojë mbivendosjet dhe paqartësitë midis institucioneve, do të rrisë shpejtësinë e identifikimit të rasteve të pastrimit të parave me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe me kosto minimale. Kjo do të rrisë efikasitetin. IA duhet të ulë kostot e bankave dhe çdo institucioni tjetër, por sidomos kostot e konsumatorëve të shërbimeve financiare/bankare, pasi ata janë konsumatori fundor i çdo kostoje të rritur të mbivendosjeve institucionale dhe të moseficencës të tërësisë së institucioneve përgjegjëse në luftën kundër pastrimit të parave. Rritja dhe mbivendosja e rregulloreve nuk është zgjidhja, por burimi i dështimit në LKPP. Rregullat e shumta janë si rëra e hedhur në vajin e një motori. Synimi është i mirë – të shmanget “tejnxehja” e motorit. Por vaji i trashur do të ngadalësojë qarkullimin e tij dhe rrezikon të çajë/djegë motorin. Rregullat e panevojshme dhe të mbivendosura ngadalësojnë funksionimin normal të çdo pjesë të ekonomisë, rritin kostot për aktorët ekonomikë dhe dëmtojnë zhvillimin.
* Autori, ish-ministër i Financave