“Mezi pres përballjen me regjimin në Strasburg” – Salianji paralajmëron betejë ligjore pas lirimit me kusht
Pas paraqitjes së tij në Shërbimin e Provës, Ervin Salianji ka komentuar për mediat lëvizjet e radhës pas lirimit me kusht nga burgu, duke paralajmëruar një betejë ligjore në të gjitha shkallët e drejtësisë, deri në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Salianji tha se aktualisht është në pritje të zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë, dhe nëse kjo instancë nuk i jep të drejtë, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Nëse edhe kjo nuk e zhbën dënimin prej 1 viti burg – nga i cili ai kreu 9 muaj – Salianji tha qartë:
“Mezi pres përballjen me regjimin në Gjykatën e Strasburgut.”
Në deklaratën e tij, ai e quajti dënimin “politik” dhe e lidhi drejtpërdrejt me ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama në institucionet e drejtësisë.
Sa i përket detyrimeve që i burojnë nga lirimi me kusht, Salianji tha se do të paraqitet edhe një herë tjetër brenda këtij muaji në Shërbimin e Provës, dhe më tej do të hartohet një program konkret në përputhje me vendimin e gjykatës.
Dënimi i Salianjit çoi automatikisht në humbjen e mandatit të deputetit, ndërsa ai vetë është shprehur se nuk do të tërhiqet nga jeta politike dhe se do ta vazhdojë betejën në të gjitha frontet.
Ervin Salianji: Jemi në kushtet e një regjimi, ku dënimi im politik dhe çdo ditë qëndrimi në burg konfirmon që për interesa politike dhe për çdo interes tjetër që bie ndesh me ato të vullnetit personal të Edi Ramës për të mbajtur pushtetin me çdo formë, përdoren të gjitha institucionet dhe instrumentet ekstra politike për të krijuar klimë terrori.
Do të jem përsëri edhe një herë tjetër brenda këtij muaji, pastaj në vijim ndërtohet një program për shërbimin e provës. Përderisa është krijuar ky institucion dhe ndeke zbatimin vendimit të Gjykatës, jam në respekt të vendimit.
Pres zbardhjen e vendimit të Gjykatës së lartë për të vazhduar në Gjykatë Kushtetuese dhe nëse nuk do ketë aty zgjidhje, mezi pres përballjen me regjimin në Gjykatën e Strasburgut.