Sun, Jul 13, 2025

Rama godet Prokurorinë për Thethin: 40 denoncime për ndërtime pa leje, por prokurorja refuzoi hetimet “bëri ese filozofike mbi pafajësinë”

  • PublishedJuly 11, 2025

Rama godet Prokurorinë për Thethin: 40 denoncime për ndërtime pa leje, por prokurorja refuzoi hetimet “bëri ese filozofike mbi pafajësinë”

Në takimin me kryebashkiakët në Durrës, kryeministri Edi Rama ngriti shqetësimin për ndërtime të paligjshme në zonën e mbrojtur të Thethit, të cilat, sipas tij, u shtuan ndjeshëm gjatë periudhës para dhe gjatë zgjedhjeve, si pjesë e përgatitjes për sezonin turistik.

Rama deklaroi se Policia e Shtetit ka bërë 40 denoncime, duke e përshkruar situatën si një “bum ndërtimesh pa leje” në një nga zonat më të ndjeshme natyrore të vendit. Por, sipas tij, reagimi i Prokurorisë ka qenë zero.

Kreu i qeverisë theksoi se ndërtimet pa leje përbëjnë vepër penale, dhe se në zona të mbrojtura si Thethi, janë edhe më të rënda. Ai nënvizoi se Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur veprimet për prishjen e objekteve, por u ankua për pengesat që vijnë nga sistemi i drejtësisë.

Rama shtoi se qeveria ka përgatitur një plan për legalizimin e ndërtimeve të vjetra në Theth, bashkë me financime për zhvillim, por theksoi se ndërhyrjet e reja pa leje nuk do të tolerohen.

Edi Rama: Gjatë periudhës së zgjedhjeve, ose në muajt para dhe gjatë zgjedhjeve në Teth ka pasur bum ndërtimesh pa leje si rezultat i përgatitjes së sezonit turistik. Policia e Shtetit ka bërë 40 denoncime, policia ka funksionuar, i ka denoncuar ndërtimet pa leje në Prokurori. Siç është bërë e ditur, në një flagrancë spektakolare ku është ndërtuar një fshat i tërë turistik në mes të Thethit, një prokurore ka vendosur mosfillimin e hetimeve.

Ka refuzuar të shohë se për çfarë bëhet fjalë, ka bërë ese filozofike mbi pafajësinë e ndërtimeve pa leje. Në Shqipëri ndërtimet pa leje janë vepër penale. Në një zonë të mbrojtur si Thethi është vepër penale edhe më e rëndë.

IKMT ka filluar të veprojë. për të gjithë ata që u thonë pse u kujtuan tani dhe pse i lanë? Nëse nuk funksionojnë të gjitha hallkat dhe struktura e pavarur e drejtësisë nuk është në dispozicion të kësaj përpjekje, por përkundrazi është si kullose makaronash ku gjërat rrjedhin dhe pastaj faktet e kryera mbeten në territor, është një përpjekje që natyrshëm do të duhet të shfaqet në këtë formë.

Në Theth kemi bërë një plan të tërë pune në Bashkinë Shkodër, kemi legalizuar ndërtimet e vjetra, kemi vendosur financime.