Sat, Jul 12, 2025

IKMT vijon aksionin në Theth për shembjen e ndërtesave, Boçi dhe Spahia përplasen me policët: Po bën të fortin ti, ku e ke shkresën!

  • PublishedJuly 12, 2025

IKMT vijon aksionin në Theth për shembjen e ndërtesave, Boçi dhe Spahia përplasen me policët: Po bën të fortin ti, ku e ke shkresën!

Situata në fshatin turistik të Thethit është tensionuar sërish këtë të shtunë, ndërsa vijon aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për shembjen e ndërtimeve pa leje.

Në zonë kanë mbërritur përfaqësues të Partisë Demokratike, përfshirë drejtuesin politik të PD për Shkodrën, Luçiano Boçi, dhe deputetin Bardh Spahia, të cilët janë përplasur verbalisht me forcat e policisë dhe punonjësit e IKMT-së.

Boçi dhe Spahia e kanë cilësuar aksionin si një hakmarrje politike të kryeministrit Edi Rama ndaj banorëve të zonës, ndërsa kanë paralajmëruar se opozita do të përdorë çdo instrument institucional dhe qytetar për të mbrojtur interesat e tyre.

Tensionet u shtuan në momentin kur përfaqësuesit demokratë tentuan të kalojnë kordonin e sigurisë, në zonën ku ndodheshin fadromat e IKMT-së, por nuk u lejuan nga policia.

Në një video të publikuar në media, Boçi dëgjohet duke debatuar me një efektiv policie:

“Ku e ke shkresën? Hiqe atë gishtin! Po bën të fortin tani?” – i drejtohet ai njërit prej policëve.

Partia Demokratike ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të aksionit dhe një qasje më e drejtë ndaj banorëve të zonës turistike, ndërsa situata në Theth mbetet ende e brishtë.

Luçiano Boçi: Turizmi familjar ka marrë goditje përfundimrare. Siç shihet prishjet këtu janë selektive, policia dhe IKMT janë në kundërshtim të plotë me ligjin. Banorët kanë ndërtuar në tokat e tyre, por kjo nuk përputhet me oreksin e Edi Ramës i cili kërkon të rrëmbejë edhe këtë perle të natyrës sic ka bërë me të tjerat. Këtu nuk ka shtet, sepse të marrësh zvarrë banorët sepse kanë ndërtuar në tokat e tyre kanë bërë turizëm familjar këtij nuk i thonë shtet. Të gjithë drejtuesit e IKMT thonë një fjalë, kemi urdhër..nga kush kane urdhër? Këtu sundon arroganca e një shteti që qeverisjen e kanë marrë nga bandat.Do të jemi këtu si opozitë me të gjitha mjetet tona për të reaguar. Thirrja ime është të bëhëmi bashkë të gjithë burrat e malësisë për ta ndalur këtë valë terrori.

Bardh Spahia: Siç e shikoni jemi në një terror të vërtetë të shtetit të Edi Ramës. Banorët nuk janë përballur ndonjëherë me pamje terrori të tillë. Si një besprerë tipik Edi Rama pasi iu dha fjalën dhe u bëri thirrje të investonin emigrantët e kësaj treve, i dhunon sot dhe i hedh në lum investimet e tyre.Një hakmarrje primitive e tij për votën që nuk e mori kurrë të Thethjanëve.

Prej disa ditësh situata në Theth është tensionuar pas nisjes së operacionit të IKMT-së për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonë. Banorët kundërshtojnë veprimet e shtetit, pasi thonë që nuk e kanë të mundur që të ndërtojnë me leje pasi u mungojnë certifikatat e pronësisë