“Lahesha me kanoçe”, Ervin Salianji ndan detajet nga jeta që kishte në qeli: Që në fillim njeriu nis e mësohet me situatën, qoftë ajo dhe e vështirë
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, pas lirimit nga burgu i Fierit, ku vuajti një dënim prej 10 muajsh. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24 me moderatore Nisida Tufën, Salianji ndau përjetimet e tij nga jeta në qeli, duke e cilësuar burgosjen e tij si të padrejtë.
Salianji, i cili u lirua me kusht pas përmbushjes së 2/3 së dënimit, tregoi se ditët e para në burg ishin tepër të vështira, kryesisht për shkak të kushteve të rënda, por më pas u ambientua me realitetin e jetës në qeli.
“Aty kupton që s’ka dhe ujë, duhet të lahesh me kanoçe. Këto do t’i përshkruaj me detaje në një libër. Nga ana njerëzore, stafi i burgut të Fierit ishin profesionistë, por situata është krejt ndryshe nga ajo jashtë. Nuk ke teknologji, duhet të shkruash me dorë, sheh një televizor të vogël… në fillim kërkon ku është telefoni, sepse është instinkt,” – u shpreh ai.
Demokrati tha se pritja në burg ka qenë pozitive dhe se shumë të burgosur kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj tij, duke brohoritur emrin e tij dhe duke thirrur “Rama ik”.
“Ishte diçka që më emocionoi. Kupton se edhe qytetarë të dënuar – qoftë me të drejtë apo jo, e kishin të qartë se burgosja ime ishte politike dhe e padrejtë,” – shtoi Salianji.
Ervin Salianji, ish-deputet i PD-së: Nuk kam nevojë të kem post, që të vijoj aktivitetin tim publik. Dënimi im është me pasoja, sepse për 5 vite nuk mund të jem as deputet. Por në këndvështrimin politik, dënimi politik është medalje për mua. Mund të kemi në PD një muze kujtese për të gjithë shërbëtorët e regjimit, që në shkelje të ligjit, marrin vendime që turpërojnë Shqipërinë, si vend që nuk krijon dot standarde. Në qeli numërohen edhe orët. Jam dënuar për kallëzim të rremë, pa bërë kallëzim fare. Nuk më kanë gjetur akuzë as për korrupsion, për asgjë. Më futën në burg, sepse iu prishja punë për zgjedhje. Dita e parë, për çdo njeri që përfundon në qeli, është moment i vështirë për jetën e njeriut, edhe pse e di se ke mbështetje masive, dhe në spektrin politik ka pasur dakordësi që ishte dënim i padrejtë.
Ajo që të rëndon më shumë burgun është padrejtësia e drejtësisë. Mendoj që jam me personalitet të fortë dhe nuk kam pasur probleme. Qëndrova në qeli, kam shkruar, kam reaguar. Aty kupton që s’ka dhe ujë e duhet të lahesh me kanaçe. Këto do i përshkruaj me detaje në një libër. Nga ana njerëzore, stafi në burgun e Fierit ishin njerëz profesionistë. Situatat janë ndryshe nga ato që janë jashtë. Duhet të shkruash me dorë, të shohësh një TV të vogël. Në ditët e para kërkon ku është telefoni, se je mësuar me instikt, tani përshembull më bën përshtypje që e kam telefonin.
Pra, që në fillim njeriu nis e mësohet me situatën, qoftë ajo dhe e vështirë. Pritja ka qenë e mirë, njerëzit bërtisnin emrin tim, thërrisnin “Rama ik”, kjo ishte diçka e mirë, se kupton që edhe qytetarët që janë dënuar, dikush me të drejtë e dikush pa të drejtë, e kanë kuptuar se burgosja ime ishte e padrejtë.