“Pikët të zerohen”/ Skema e “Final Four”, Vllaznia hedh idenë
Këtë të shtunë, Departamenti i Garave në FSHF mbajti një takim konsultues me drejtues të klubeve të kampionatit “Abissnet Superiore”, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Me skemën e “Final Four” që ende nuk është miratuar, klubet treguan propozimet e tyre.
Sipas propozimit të bërë nga Vllaznia, pikët duhet të zerohen në fund të kampionatit. Sipas shkodranëve, vendi i parë duhet të përballet me vendin e katërt, ndërsa vendi i dytë sfidon të 3-tin. Vlen të theksohet se e gjitha kjo, mund të bëhet me sistem vajtje-ardhje.
Postimi i Vllaznisë:
Departamenti i Garave në FSHF zhvilloi sot një takim konsultues me drejtues të klubeve të kampionatit “Abissnet Superiore”. Në fokus të këtij takimi konsultues ishte diskutimi mbi një propozim për përmirësimin e skemës aktuale të “Final 4”, me qëllimin për të rritur më tepër rivalitetin dhe cilësinë në fazën përmbyllëse të kampionatit.
Në këtë kuadër dhe me propozimin e Federatës për një skemë me “Final 4”, KF Vllaznia përmes drejtorit sportiv Vioresin Sinani ka propozuar këtë opsion:
“Në fund të kampionatit të rregullt, pikët të zerohen. Në gjysmëfinale të luhet me skemën: Vendi i parë me të katërtin dhe i dyti me të tretin me sistem vajtje- ardhje, ndërsa finalja të luhet në “Air Albania”. Me këtë formulë vendi i parë është i favorizuar sepse do të luajë me të katërtin”. Në këtë mënyrë nuk shmangim stadiumet dhe tifozët tanë si dhe kemi mundësi të ardhurash secili klub”, shkruan Vllaznia.