Tarifa prej 30% për mallrat evropiane e shpallur nga Trump, Macron: BE-ja duhet të përgatitet për kundërmasa
Presidenti francez Emmanuel Macron bën thirrje për veprim të shpejtë nga Bashkimi Evropian, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e tarifave 30% mbi mallrat e importuara evropiane.
Në një postim në platformën X, Macron theksoi se BE-ja duhet të përshpejtojë përgatitjet për hakmarrje të mundshme tregtare dhe të mbrojë interesat e saj strategjike.
“Më shumë se kurrë, është përgjegjësi e Komisionit të riafirmojë vendosmërinë e Unionit për të mbrojtur interesat evropiane,” shkroi Macron.
Apeli i Macron vjen në një klimë të tensionuar pas njoftimit të Presidentit amerikan Donald Trump për tarifat e reja, që do të prekin ndjeshëm eksportet evropiane në sektorë kyç si farmaceutika dhe bujqësia.
Brukseli ende nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të fundit të Uashingtonit, por burime diplomatike konfirmojnë se Komisioni Evropian po shqyrton një paketë të mundshme masash reciproke, për të ruajtur ekuilibrin tregtar dhe autoritetin ekonomik të Unionit.
Mbetet për t’u parë nëse BE-ja do të arrijë të ruajë unitetin dhe të reagojë me forcë në përballje me një nga sfidat më serioze tregtare të dekadës së fundit.