Sun, Jul 13, 2025

Aksioni kundër ndërtimeve pa leje, OSHEE:Asnjë lidhje energjie për këto ndërtesat, forcohen kontrollet

  • PublishedJuly 13, 2025

Aksioni kundër ndërtimeve pa leje, OSHEE:Asnjë lidhje energjie për këto ndërtesat, forcohen kontrollet

Në vijim të aksionit kombëtar kundër ndërtimeve pa leje, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) deklaron se nuk do të lejojë lidhje të reja me rrjetin elektrik për objektet që nuk plotësojnë kushtet ligjore.

Në një njoftim zyrtar, OSHEE thekson se është e angazhuar të zbatojë kontroll rigoroz ndaj çdo kërkese për lidhje, duke ndaluar përfundimisht çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin me ndërtim të paligjshëm.

“Nuk do të pranojmë asnjë kërkesë për lidhje energjie nga ndërtesa pa leje ose që nuk kanë respektuar kushtet e lejes së ndërtimit,” thuhet në deklaratën e OSHEE.

Institucioni shprehet se kjo masë është pjesë e përpjekjeve për të garantuar një territor të ndërtuar në mënyrë të sigurt dhe ligjore, në bashkëpunim me institucionet shtetërore të përfshira në operacionin antipaligjshmëri.

Njoftimi i OSHEE:

Në kuadër të aksionit të nisur nga qeveria shqiptare për të goditur paligjshmërinë në fushën e ndërtimit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) shprehet i vendosur për të kontribuar në këtë përpjekje të përbashkët institucionale.

OSHEE është angazhuar për të forcuar kontrollin dhe për të mos lejuar asnjë lidhje të re me rrjetin elektrik për ndërtimet që nuk përmbushin kriteret ligjore.

Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet kërkesave për lidhje të reja, me qëllim që të shmangen çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin.

OSHEE nuk do të pranojë kërkesat për lidhje me energji elektrike të ndërtesave pa leje ndërtimi ose që nuk kanë zbatuar kushtet e lejes ndertimit.

OSHEE mbetet e angazhuar të veprojë në përputhje me legjislacionin dhe të kontribuojë për një mjedis të ndërtuar të sigurt, të ligjshëm dhe në shërbim të qytetarëve.