Edhe Inter e dëshiron Granit Xhakën, mediat italiane: Nëse largohet Çalhanoglu, zikaltrit do të tentojnë mesfushorin e Leverkusen
Fillimisht Milan, më vonë në skenë Juventus, ndërsa tani edhe Inter. Duket se e ardhmja e Granit Xhakës është e lidhur me 3 skuadrat prestigjoze të Serie A. Mesfushori i Leverkusen është ende në pritje të njohë se cila do të jetë e ardhmja e tij në sezonin e ri.
Ditën e sotme ka qenë “La Gazzeta dello Sport” që ka publikuar lajmin se Inter nëse shet mesfushorin turk Hakan Çalhanoglu do të hidhet në sulm për mesfushorin me origjinë shqiptare, Granit Xhaka.

Mesfushori i “aspirinave”, që ndonëse nuk është më në kulmin e karrierës së tij, mbetet një lojtar me përvojë, stil dhe fuqi. E kaluara ka treguar që Interi ka ditur të jetë e suksesshme edhe me “vetaranët”, siç ishin Mkhitaryan apo Acerbi. Ndërsa ekipi i ri i Chivut po merr formë, strategjitë e merkatos verore po rishikohen.
Nëse largohet Calhanoglu, Xhaka shihet si një zëvendësues i denjë, me përvojë dhe uri për sukses. Edhe pse 33 vjeç, ai vazhdon të tregojë të njëjtën energji që ka pasur te Arsenali dhe Leverkuseni. Ndërkohë, Ederson i Atalantës pëlqehet shumë, por çmimi prej 60 milionësh dhe qëndrimi i vendosur i klubit e bëjnë marrëveshjen shumë të vështirë. Kështu që, ndoshta është pikërisht Xhaka ai që do të vishet zikaltër.