Ish-notarët kujtojnë lavdinë e humbur të sporteve të ujit në Durrës

Regjimi komunist në Shqipëri e konsideronte sportin dhe edukimin fizik si një nga shtyllat e veta kryesore, e megjithatë, jo të gjitha sportet ishin njësoj të vlerësuara. Në mesin e viteve ’60, disiplina të sporteve të ujit si hedhja nga trampolina, kanotazhi apo vaterpoli (waterpolo) pothuajse u ndaluan, duke dekurajuar një grup notarësh nga Durrësi të cilët ishin angazhuar me to.
Njëri prej tyre është Tom Fisha, një ish-gjimnast kampion dhe hedhës i pasionuar. Sot në mesin e të 80-ave, ai kujton me nostalgji garat e dikurshme dhe hedhjet e rrezikshme nga trampolina.
“Ndërmjet garave, bashkë me një shok tjetër hidheshim jo vetëm nga trampolina e vogël, por edhe nga Biga lundruese apo nga anijet e mëdha të ankoruara në kalatë,” kujton Fishta.
“Do të ishte një mundësi shumë e mirë për rikthimin e këtij konkurimi olimpik,” shtoi ai duke iu referuar Durrësit.
Niko Korani ishte gjithashtu një nga notarët më të mirë të vendit në vitet ’60, i cili kujton se pas përfundimit të sezonit dimëror fillonin takimet e vaterpolit – një tjetër disiplinë e modës në ato të vite.
“Në skuadrën e Durrësit kryesorët ishin Sul Tufa, Ilmi Kapllani, Dhimitraq Goga, Spiro Urumi dhe Mirban Kadiu. Portën e mbronte Agron Ismailati dhe unë së bashku me Kastriot Karamuçon ishim më të rinjtë në moshë,” kujtoi Niko për BIRN.
Ai kujton hollësisht kampionatet kombëtare me rivalë kryesorë Shkodrën, Sarandën dhe Vlorën. Po ashtu, edhe garat që bëheshin buzë kalatës në portin e Durrësit.
“Vaterpoli ishte një sport shumë i bukur, njëlloj si hedhja nga trampolina,” thotë Korani, duke shtuar se të tre sportet e ujit u pezulluan pa asnjë shpjegim në mesin e viteve ’60. Po në atë kohë u ndërpre edhe boksi, një sport shumë i preferuar në Durrës së bashku me tenisin.
“Thoshin për motive politike. Hajde po e pranojmë, por në atë kohë nuk na thanë asgjë. Unë nuk e kuptoj se përse tani ato nuk rifillojnë?” shton 85-vjeçari.
Sadik Mema, një tjetër veteran i notit në Durrës jep një shpjegim tjetër për ndalimin e sporteve të ujit. Ai thotë se faktori kryesor lidhej me mungesën e pishinave, por edhe me shpenzimet për trajtimin e notarëve.
“Në fakt, konkurimet në këto disiplina u ndërprenë në vitet ’60, kryesisht nga mungesa e pishinave në qytete, por edhe nga shpenzimet e mëdha për kohën, që i kërkonte trajtimi financiar i numrit të madh të notarëve,” tha Mema.
Në fillim të viteve ’90, Mema drejtoi Federatën e Notit dhe kujton vështirësitë e mëdha pas largimit të notarëve dhe trajnerëve jashtë vendit.
“Bashkë me një shoqatë arritëm të riaktivizojmë për një farë kohe sportin e kanoes, me gara që realizoheshin në liqenin e Tiranës. Po vetëm kaq,” thotë ai me keqardhje.
Bashkia e Durrësit ka rreth 62 kilometra bregdet, por sportet e ujit nuk janë shumë të zhvilluara. Për ish-notarët e viteve ’60, kjo është e pakuptueshme dhe një minus për zhvillimin e turizmit.
Çdo mëngjes, Ali Kila e fillon ditën pranë Currilave. Ai bën disa ushtrime, përpara se të notojë dy apo tre kilometra.
Në mesin e viteve ’60, Kila ishte i aktivizuar me kanotazhin, një sport që po mbledh gjatë viteve të fundit të apasionuarit e tij.
“Kishim barka të mëdha, me pesë vetë që rremonin në një krah dhe pesë në krahun tjetër ,” kujton ai. Në një episod, repartet kufitare të ushtrisë i ndaluan të gjithë sportistët dhe i bllokuan mbi një anije të mbytur në hyrje të portit.
“Pas disa orësh vijuam garën, 3-4 km. Kur konkurimi mbaroi, na njoftuan se do të zhvillonim më asnjëherë gara kanotazhi,” tregon ai.
Ndërsa ndalimi i sporteve të ujit gjatë regjimit komunist nuk është shumë i dokumentuar, protagonistët e këtyre lojërave shprehin habinë për lënien e tyre në harresë pas rënies së regjimit.
“Kanotazhi apo hedhja nga trampolina mund ta ndihmojnë turizmin në Durrës,” përfundoi Tom Fishta.
