Sun, Jul 13, 2025

Lufta 12-ditore me Izraelin – Mediat iraniane: Presidenti Pezeshkian u plagos gjatë bombardimit të kompleksit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare

  • PublishedJuly 13, 2025

Lufta 12-ditore me Izraelin – Mediat iraniane: Presidenti Pezeshkian u plagos gjatë bombardimit të kompleksit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka qenë mes të plagosurve gjatë një sulmi ajror izraelit më 16 qershor, gjatë konfliktit 12-ditor mes dy vendeve, sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane Fars.

Sipas raportimit, Forcat Ajrore izraelite bombarduan kompleksin e Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare në Teheran, ku po zhvillohej një mbledhje me pjesëmarrjen e nivelit më të lartë të qeverisë. Gjashtë raketa goditën pikërisht hyrjet dhe daljet e objektit – një taktikë e njohur për synimin e eliminimit të figurave kyçe, si në rastin e sulmit të mëparshëm kundër liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

Presidenti Pezeshkian dhe të pranishmit u strehuan në një zonë të sigurt, por disa prej tyre u plagosën, përfshirë edhe vetë presidentin, i cili pësoi dëmtime në këmbë. Sulmi shkaktoi ndërprerje të menjëhershme të energjisë elektrike në ndërtesë.

Në një intervistë për gazetarin amerikan Tucker Carlson, Pezeshkian aludoi se precizion i sulmit mund të jetë rezultat i një rrjedhjeje informacioni nga brenda shërbimeve iraniane të inteligjencës, duke nënkuptuar mundësinë e infiltrimit të një agjenti të huaj në strukturat e sigurisë.

Agjencia Fars dhe mediat iraniane kanë akuzuar Perëndimin për heshtje, duke e cilësuar bombardimin si një akt të pastër të terrorizmit shtetëror nga Izraeli dhe duke kërkuar reagim ndërkombëtar për cenimin e një objektivi të nivelit të lartë gjatë një takimi zyrtar të qeverisë iraniane.