“Manipuloi fjalët e Trump”, Grenell për Vjosa Osmanin: Turp, s’ke qenë pjesë e asaj marrëveshjeje
Emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara gjatë administratës Trump, Richard Grenell, ka reaguar ashpër ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e akuzuar atë për manipulim të deklaratave të Presidentit amerikan Donald Trump.
Reagimi i Grenell u bë publik të dielën përmes një postimi në platformën “X” (ish-Twitter), pas deklaratës së Osmanit se kishte “informacione të besueshme” sipas të cilave Trump kishte parandaluar një sulm të mundshëm të Serbisë ndaj Kosovës.
“Turp për Osmanin që manipulon fjalët e presidentit Trump”, shkruan Grenell, duke kujtuar se Trump ishte nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për angazhimin e tij në procesin e normalizimit ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë. Ai theksoi se marrëveshja e Uashingtonit e vitit 2020, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, ishte arritje historike e administratës Trump dhe se Osmani nuk kishte qenë pjesë e këtij procesi.
“S’ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje. Dhe të pretendosh se ka ndodhur diçka e re është absurde”, u shpreh Grenell, i cili ka qenë një nga figurat kyçe në dialogun Prishtinë-Beograd gjatë mandatit të parë të Donald Trump.
Ndërkohë, vetë Presidenti Trump ka përmendur së fundmi rastin e Kosovës dhe Serbisë si shembull të aftësisë së tij për të zgjidhur konflikte të ndërlikuara ndërkombëtare. Në një deklaratë të fundit, ai pretendoi se kishte ndërhyrë për të parandaluar një përshkallëzim të mundshëm ushtarak nga Serbia ndaj Kosovës, duke theksuar se ndryshe nga pasardhësi i tij Joe Biden, ai kishte synuar të sillte stabilitet në Ballkan.