Mon, Jul 14, 2025

Përplasjet në Theth, famulltari i Shkodrës: Më vjen shumë keq për ato njerëzit e shkretë sepse i joshën, i rrejtën, i blenë, i shfrytëzuan!

  • PublishedJuly 13, 2025

Përplasjet në Theth, famulltari i Shkodrës: Më vjen shumë keq për ato njerëzit e shkretë sepse i joshën, i rrejtën, i blenë, i shfrytëzuan!

Gjatë meshës së së dielës në Shkodër, famullitari i njohur Dom Vlash Palaj ka reaguar ashpër ndaj aksioneve të fundit për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën turistike të Thethit.

Në predikimin e tij, ai kritikoi ashpër autoritetet shtetërore, duke i akuzuar për mashtrim dhe braktisje të banorëve të zonës. Sipas tij, mënyra se si po trajtohen këta qytetarë është e padrejtë dhe shkatërron besimin në institucione.

“Një konflikt i madh atje në Theth, më vjen shumë keq për ato njerëzit e shkretë sepse i joshën, i rrejtën, i blenë, i shfrytëzuan, i vjelën për nga ana monetare, dhe në fund i hodhën, i tradhtuan, i dogjën, i shkatërruan, do t’i gjobisin e do t’i burgosin. Faik Konica thotë nji fjalë, e cila, duhet të na bajnë të reflektojmë. E keqja ma e madhe e Shqipnisë janë shqiptarët. Por, cilët shqiptarë? Ato, të cilët s’i kanë mësu ende fjalët e jetës. Krishti thotë: Në qoftë se don me zgjidh problemin me vëllaun tand, me të afërmin tand, jena pjesë e nji kombi. Shqipnia është një fshat i vogël me e krahasu me vendet e tjera.

Merre përpara vëllaun tand, ulu me të, mos e kushtëzo dialogun tand në kohë. Kërko ta bindësh se cila është e mira dhe e vërteta. Por, mundet me të ndodh që s’ndigjon. Atëherë, të lutem, mos e dëno, mos e gjyko as mos e paragjyko, sepse nuk je ti Zoti i jetës së tij. Thirri edhe 2-3 dëshmitarë, edhe në praninë e tyre, thuaji edhe njiherë. E në qoftë se edhe ato nuk i ndigjon, e prapë nuk ndigjon, prapë mos u dorëzo. Ftoje krejt bashkësinë. Uluni të gjithë së bashku. Diskutoni sesi mund të zgjidhet problemi i këtij personi. Mund të ndodhin që as ato nuk i ndigjon. Atëherë, kur ke ba edhe tentativën e tretë, dhe i ke vu në dijeni të gjithë, atëherë kur nuk merr vesh, leçite – veçoje, thotë. Sepse nuk e don të mirën. Kurse, në atë realitet të atij fshati malor, ça vërejmë? A thua se jena armiq të njeni-tjetrit. Më besoni, të krishtenë të dashtun, dhe ju ftoj që të mendoni seriozisht në lidhje me këtë gja”, tha ai.