Sulmuesi tremb të kuqtë, por Partizanit i buzëqesh Isgandarli
Partizani barazoi 1 me 1 përballë Kaljus në Estoni. Mund të quhet një rezultat i vyer, pasi ka lënë llogaritë hapur për ndeshjen e kthimit. Të kuqtë nuk u larguan pa humbje nga Estonia. Ishte dëmtimi i Albers Kekos në pjesën e parë, që i trembi të gjithë. Sulmuesi i “demave” i la vendin Elson Himallarit. Mbetet për t’u mësuar tashmë shkalla e dëmtimit.
KEKO- Nëse është një lojtar që ka rilindur me ardhjen e trajnerit Gega, është Keko. Sulmuesi i afruar nga Korabi dy vite më parë, nuk preferohej si titullar. Tashmë gjërat kanë ndryshuar. 23- vjeçari duket se mund të bëjë mjaft mirë me Skukën. Golat ndaj Egnatias në edicionin e kaluar, pse jo edhe ato të miqësoreve, i kanë shtuar besimin që mund të shkëlqejë me fanellën e kuqe. Për Partizanin ishte humbje e madhe lënia e fushës së lojës nga ana e tij, që në pjesën e parë. U nevojit barela dhe për më tepër u largua i përlotur.
ISGANDARLI- Partizani i Gegës nuk ishte i plotë. Jo vetëm mesfusha që duhet plotësuar, por edhe sulmi nuk ishte plotësisht i gatshëm për skemat e Gegës. Bëhet fjalë për mungesën e Vusal Isgandarlit, që pasi iu shtua edhe largimi i Kekos nga fusha, peshoi shumë. Kështu Partizani e pati një ndeshje sakrifice. Një tjetër lojtar, që nuk llogaritet për sulmin në turin e parë, por i përket Partizanit, është Arshonzh Bintsuka. Mundësia për ta llogaritur Isgandarlin në ndeshjen e kthimit, nuk është pak. Besimi është i madh te sulmuesi azerbajxhanas, që nuk udhëtoi në Talin me skuadrën për shkak të problemeve me pasaportën.
FAKTI- Lista e turit të parë të Ligës së Konferencës nuk mund të ndryshojë. Kështu, në dispozicion të Partizanit do mbeten të njëjtët lojtarë. Mesfusha mbetet halli më i madh që ka Partizani aktualisht. Fillimisht është Saliu Sembene, që po mban një përgjegjësi të madhe aty. Më pas Gjergji Kote, Dion Vata, Tedi Malaj dhe Mateo Shanaj, të cilët patën peshë të madhe mbi supe në Estoni. Fakt është se mosha e të gjithë lojtarëve të përmendur për mesfushën fillon nga 16 dhe nuk i kalon 23 vjeç. Kjo tregon se eksperienca dukshëm i mungoi Partizanit në Estoni. Ky fakt nuk ka si të ndryshojë edhe për sfidën në Tiranë.