INTERVISTA/Konfiskimi i bulmetit dhe mishit pa faturë, eksperti i bujqësisë: Shkatërrim për fermerët e vegjël! Goditet hallka më e dobët
VOLTIZA DURO/ Pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama që ndalon shitjen e qumështit, bulmetit dhe mishit pa faturë tatimore, ministrat dhe drejtuesit e institucioneve fiskale kanë nisur kontrollet në terren dhe kanë paralajmëruar masa të forta, përfshirë sekuestrime produktesh dhe gjoba të larta.
Qeveria e justifikon këtë fushatë si pjesë të përpjekjeve për të garantuar sigurinë ushqimore, gjurmueshmërinë dhe formalizimin e sektorit, por vendimi ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe sidomos në radhët e fermerëve dhe prodhuesve të vegjël. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, eksperti i bujqësisë Ervin Resuli e konsideron këtë masë si një goditje të rëndë për sektorin blegtoral dhe veçanërisht për prodhuesit që mbijetojnë nga tregtia informale. Sipas tij, mungesa e një strategjie tranzitore, e dialogut me fermerët dhe e mbështetjes financiare do ta kthejë këtë nismë nga një përpjekje për formalizim në një akt ndëshkues, me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për vendin.
Si e vlerësoni këtë masë të re të qeverisë që ndalon shitjen e produkteve blegtorale pa faturë? A është një hap i domosdoshëm drejt formalizimit apo një barrë për fermerët?
Kjo masë në vetvete mund të ketë një qëllim të mirë: të sjellë formalizim, gjurmueshmëri dhe siguri ushqimore. Por mënyra se si po zbatohet është e njëanshme dhe godet më të dobëtit, fermerët e vegjël. Në mungesë të një plani tranzitor dhe ndihmës konkrete për ta, kjo nuk është reformë, por një barrë shtesë që kërcënon mbijetesën e mijëra familjeve.
A mendoni se terreni është i përgatitur për ta zbatuar këtë urdhër, apo do të përballemi me kaos dhe mungesë produktesh në treg?
Terreni është krejtësisht i papërgatitur. As strukturat shtetërore, as tregu dhe mbi të gjitha as fermerët nuk janë gati për një aplikim të menjëhershëm. Ka rrezik real për kaos, për mungesë të qumështit, djathit e mishit në tregje lokale dhe për rritje çmimesh të menjëhershme për konsumatorin.
A ka pasur ndonjë dialog real me fermerët, përpunuesit dhe tregtarët përpara shpalljes së kësaj mase?
Jo. Kjo është një nga kritikat më të mëdha që kam. Këto vendime nuk mund të merren në zyrë, larg realitetit të stallave, baxhove dhe tregjeve të zonave rurale.
Asnjë proces konsultimi i gjerë dhe serioz nuk është zhvilluar. Përsëri, mungesa e bashkëbisedimit me zinxhirin prodhues tregtar është një dështim në vetvete. Qeveria flet për siguri ushqimore dhe gjurmueshmëri.
Sa reale është të kemi këto standarde në një zinxhir informal ku mungojnë kushtet minimale për ruajtje dhe transport?
Është ironike të kërkosh standarde europiane në një realitet ku mungon frigoriferi, mungon mbikëqyrja veterinare e mirëfilltë dhe mungon çdo hallkë e organizuar. Gjurmueshmëria dhe siguria ushqimore nuk mund të arrihen duke goditur fundin e zinxhirit, por duke ndërtuar një sistem nga baza, me investime, ndihmë teknike dhe kontrolle efektive.
Çfarë impakti do të ketë kjo masë te prodhuesit e vegjël, sidomos ata që nuk janë të regjistruar, por mbijetojnë nga shitja ditore e qumështit dhe djathit?
Këta prodhues do të jenë viktimat kryesore. Ata nuk kanë kapacitete administrative, juridike apo financiare për t’u formalizuar brenda natës. Shumë prej tyre mund të detyrohen të ndalojnë prodhimin apo shitjen. Pasojat sociale do të jenë të rënda, sidomos në zonat malore dhe të thella rurale.
Nëse nga java e ardhshme do të ketë sekuestrime produktesh dhe gjoba të larta, a mund të sjellë kjo rritje të çmimeve për konsumatorin?
Po, dhe është e pashmangshme. Furnizimi me produkte do të bjerë menjëherë dhe oferta do të tkurret. Kjo do të ndikojë direkt në çmime, duke rënduar edhe më shumë familjet shqiptare që tashmë vuajnë nga inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës.
A keni një ide për sa për qind e tregut të mishit dhe bulmetit në Shqipëri funksionon aktualisht pa faturë dhe jashtë skemave fiskale?
Bazuar në vlerësime të ekspertëve dhe vetë autoriteteve shtetërore, mbi 60–70% e tregtimit të produkteve blegtorale ndodh në mënyrë informale. Në zonat rurale kjo shifër është edhe më e lartë. Kjo tregon se problemi është sistemik dhe nuk zgjidhet me urdhra të befta, por me strategji të qëndrueshme.
Cili duhet të ishte, sipas jush, një tranzicion më i butë dhe efektiv drejt formalizimit të këtij sektori?
Fillimisht, duhet një fazë pilot me zona të përzgjedhura, me trajnime, pajisje, regjistrim vullnetar dhe subvencione për kostot fiskale. Shteti duhet të marrë mbi vete shpenzimet fillestare të pajisjes me kasa fiskale ose aplikacione të thjeshta mobile për fermerët. Po ashtu, duhet të ndërtohen pikat e grumbullimit me kushte teknike e veterinare të certifikuara. Formalizimi duhet të jetë ndihmë, jo ndëshkim.
Sa e përgatitur është infrastruktura tatimore dhe agjencitë e kontrollit për të gjurmuar realisht këtë lloj produkti në çdo hap të zinxhirit?
E vërteta është që as administrata tatimore, as AKU, as strukturat e tjera nuk janë të koordinuara për një gjurmim në kohë reale. Mungojnë sistemet digjitale funksionale, mungojnë njerëzit e trajnuar dhe mbi të gjitha mungon besimi midis institucioneve dhe prodhuesve. Është e pamundur që një sistem i tillë të funksionojë pa një reformë të thellë në vetë administratën.
Çfarë rrezikojmë të humbasim nëse ky urdhër zbatohet verbërisht pa u shoqëruar me ndihmë për formalizimin dhe edukimin e fermerëve?
Rrezikojmë të humbasim vlerën e vetme të qëndrueshme që ka mbetur në Shqipëri, prodhimin vendas të mishit, qumështit dhe produkteve natyrore të zonave të thella. Rrezikojmë zbrazjen e mëtejshme të fshatit, shkatërrimin e zinxhirit tradicional të furnizimit dhe një monopolizim të tregut nga importuesit. Dhe mbi të gjitha, rrezikojmë humbjen e besimit të fermerëve ndaj shtetit./Gazeta Panorama