Mon, Jul 14, 2025

“Ishte i shtrirë në dhomë dhe kishte porositur drekën” – Vëllai i Liridona Ademajt dëshmon në gjyqin ndaj Naim Murselit: Dëgjova një krismë, ika me fëmijët

  • PublishedJuly 14, 2025

“Ishte i shtrirë në dhomë dhe kishte porositur drekën” – Vëllai i Liridona Ademajt dëshmon në gjyqin ndaj Naim Murselit: Dëgjova një krismë, ika me fëmijët

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është zhvilluar sot seanca ndaj Naim Murselit, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj. Në sallën e gjyqit dëshmoi vëllai i viktimës, Leonard Ademaj, i cili rrëfeu momentet pas vrasjes dhe sjelljen e Murselit në ditët që pasuan ngjarjen.

Ademaj tregoi se lajmin për vrasjen e motrës e mori në komisariat, ku ndodhej edhe Naim Murseli.

“Unë kam thanë që ku janë fëmijët dhe Naimi. Më kanë thanë që janë brenda… Kur kam pyet ku është Naimi, më kanë thënë që është duke dhënë deklaratë. Pas 1 ore Naimi ka dalë nga Policia…”, u shpreh ai.

Sipas dëshmisë, Murseli i kishte rrëfyer se pas krismës kishte marrë fëmijët dhe ishte përpjekur të largohej. Ai kishte kërkuar ndihmë, por askush nuk kishte reaguar.

“Ka ardhur një veturë në drejtim tonin dhe ka dashtë me na shkelë mu e fëmijët. Kam kërkuar ndihmë, por që nuk më kanë dhënë ndihmë. Kam shkuar në market dhe aty i kam thanë pronarit… Por pronari nuk më ka lejuar, më ka thënë rri këtu dhe priti policinë.”

Një ditë më pas, familjarët e kërkuan Murselin për ta çuar në morg, por nuk po e gjenin. Përmes një kontakti me shoferin e tij, mësojnë se ndodhej në një hotel në Prishtinë.

“Kur kemi shkuar në Swiss, na ka thanë që Naimi është në dhomë lart. Ai ishte i shtrirë, kishte disa gjëra ushqimore në tavolinë, po ashtu kishte porositur edhe drekën.”

Ademaj tha se sjellja e tij i befasoi. Kur e pyeti nëse mund të shkonin në morg për të parë trupin e Liridonës, Murseli nuk pranoi, duke thënë se nuk i lejohej. Megjithatë, më pas pranoi të shkonte, por nuk hyri brenda.

“Ka ardhur deri te dera, vetëm prej dere e ka shikuar, nuk ka hy brenda.”

Në nisje të seancës, avokati i Murselit kërkoi një pauzë për t’u konsultuar me klientin e tij, kërkesë që u pranua nga gjykata. Më herët, Murseli ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e vrasjes.

Sipas prokurorisë, ai dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për të përfituar financiarisht nga një sigurim jetësor në Suedi në vlerë prej 260 mijë euro. Bashkë me Murselin, të akuzuar janë edhe Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, të cilëve iu ishte premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për kryerjen e krimit.

Vrasja e Liridona Ademajt ndodhi më 29 nëntor 2023 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht ngjarja u raportua si grabitje, por hetimet zbuluan se bëhej fjalë për një inskenim.