“Mbreti Sinner”, mediat italiane i bëjnë jehonë suksesit historik të tenistit italian, Jannik Sinner: Realizova ëndrrën time
Tenisti italian Jannik Sinner triumfoi në grand slamin e Wimbledon ndaj Alcaraz. Në finalen londineze, në turneun më të rëndësishëm të fushave me bar, ai mundi 3-1 me përmbysje spanjollin Carlos Alcaraz (4-6, 6-4, 6-4, 6-4). Ai bëhet kështu italiani i parë që fiton në Wimbledon. Fitore e rëndësishme për numrin 1 në botë, që nuk përsëriti gabimet e finales së Roland Garros, duke u hakmarrë ndaj spanjollit.
Alcaraz, numri 2 në botë, dorëzoi kështu titullin e këtij turneu, që e kishte fituar në dy vitet e fundit. Ky është suksesi i parë në karrierë për Sinner në Wimbledon, ku arriti t’i mbijetojë një eliminimi në çerekfinale, për të shpërthyer më pas ndaj Djokovic dhe Alcaraz. Këtë herë ai arriti të ruajë qetësinë në momentet vemdimtare dhe të triumfojë. Alcaraz arriti të fitojë setin e parë, por më pas erdhi përmbysja e italianit, që arriti të fitojë nga një “break” në tri setet e tjera me shërbimet e spanjollit. Sinner ishte më i saktë në lojën në fundore, duke mos i dhënë asnjë shans spanjollit.
Për Sinner ky është triumfi i katërt në një grand slam (ka fituar dy herë në Australian Open dhe një herë në US Open), duke mbrojtur kreun e renditjes botërore. Alcaraz u përpoq, por në fund u detyrua të pranojë epërsinë e italianit.
Vetë italiani nuk i fshehu emocionet pas ngritjes së trofeut për të parën herë në karrierë:
“Është me të vërtetë një moment i veçantë. Para kësaj ndeshjeje, nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të kisha mundësinë të luftoja për këtë trofe. Është një ëndërr që bëhet realitet. Dua të falënderoj ekipin tim dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur në këtë ditë kaq të veçantë”.
Ndërkohë triumfi i Sinner ndaj Alcaraz pushtoi edhe faqet e para të gazetave prestigjoze italiane, të cilat i kushtuan hapësirën kryesore nr.1 të bostës pas suksesit në Wimbledon.


