Mon, Jul 14, 2025

Rama mbledh sot deputetët e Tiranës dhe drejtorët e bashkisë! Ja çfarë pritet të diskutohet

  • PublishedJuly 14, 2025

Rama mbledh sot deputetët e Tiranës dhe drejtorët e bashkisë! Ja çfarë pritet të diskutohet

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot deputetët e Tiranës dhe drejtuesit e bashkisë në një mbledhje të dytë pas asaj të zhvilluar disa ditë më parë për shqetësimet e qytetarëve.

Mbledhja do të zhvillohet në orën 8.30 në një prej hoteleve në kryeqytet, ndërsa në takim do të jenë edhe drejtorët e bashkisë. Gjatë kësaj kohe deputetët kanë zbritur në terren për t’u njohur me problematikat e qytetarëve dhe do t’i raportojnë ato tek kreu i qeverisë.

Më 4 korrik në një takim që zhvilloi me deputetët e Tiranës Rama u kërkoi atyre për dy javë, të evidentojnë problematikat e qytetit përmes kontakteve të drejtpërdrejta me qytetarët. Fokusi i diskutimeve në këtë takim ka qenë evidentimi i problematikave që hasin qytetarët e qarkut të Tiranës. Rama është shprehur se deputetët duhet të zbresin në terren për evidentimin e problematikave dhe të kontaktojnë më qytetarët, si dhe janë ngritur disa grupe pune për fushat të ndryshme si hapësirat publike, shërbimet, parkimi, lejet e ndërtimit. Kryeministri ka kërkuar që brenda dy javësh të krijohet një raport për t’u depozituar më pas në bashki.

Raportohet po ashtu se Rama ka angazhuar dhe ministrat e kabinetit për bashkinë e kryeqyteti. Ministri Petrit Malaj dhe Delina Ibrahimaj janë caktuar të mbikëqyrin financat, ministri Blendi Gonxhe do të ndjekë transportin dhe trafikun, ndërsa Ogerta Manastirliu dhe Anuela Ristani do të merren me hapësira publike. Ndërkohë dje Ministri i Shtetit dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla zhvilloi një takim me anëtarët më të rinj të Grupit Parlamentar Socialist në kuadër të “Akademisë Politike – Deputetët e Rinj”.

Takimi u zhvillua në një atmosferë pune dhe diskutimi, në kuadër të përgatitjes së brezit të ri të përfaqësuesve në Kuvendin e Shqipërisë. Iniciativa e “Akademisë Politike” synon të fuqizojë rolin e deputetëve të rinj përmes formimit dhe përfshirjes aktive në agjendën legjislative. Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi rëndësinë e mandatit të marrë në zgjedhjet e 11 majit, duke e konsideruar rezultatin prej 83 mandatesh si një borxh të jashtëzakonshëm për t’u shlyer. Ai u bëri thirrje deputetëve të rinj që të mos shkëputen nga komunitetet, por të jenë gjithmonë pranë njerëzve të zakonshëm dhe diasporës shqiptare.

“Populli shqiptar na besoi 83 mandate, të cilat duhet t’i konsiderojmë një borxh të jashtëzakonshëm për t’u shlyer. Në radhë të parë duke mos shkëputur lidhjet me komunitetet kudo, por duke i dëgjuar dhe punuar më shumë me njerëzit e zakonshëm dhe me diasporën’, – tha ai.

Balla vuri në dukje se ky është rinovimi më i madh që ka ndodhur ndonjëherë në grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

‘Shpresa ime është që duke qenë se ky është rinovimi më i madh që ka pasur ndonjëherë Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Partia Socialiste e Shqipërisë ka qenë e vetmja forcë politike që qartazi e ka mbështetur pjesën e votës së diasporës. Keni hyrë në politikë ‘Welcome to the club’ dhe si të tillë, duhet të jeni të përgatitur për çdo lloj kurthi’, -tha ai./Gazeta Panorama