Bundesliga “thërret” Brojën, dy ekipet kërkojnë informacione për “bomberin” kuqezi
Në Angli, e ardhmja e Armando Brojës mbetet një temë e fortë diskutimi, kjo edhe për faktin se “bomberi” kuqezi do të largohet nga Chelsea këtë merkato verë, për momentin kjo është e vetmja gjë e sigurt. Dëshira e klubit londinez, fitues të freskët të Botërorit për Klube, është të shesin përfundimisht kartonin e Brojës, në këtë pikë edhe vetë lojtari nuk është kundër pasi është e qartë se për të gjetur hapësira në ofensivës e bluve është e pamundur. Nëse largimi është i sigurt, formula dhe ekipi i tij i ri, mbetet ende një enigmë.

Pas zërave që e shihnin në Holandë, ku për të po kryente sondazhe ekipi i Ajax, së fundmi mediat angleze kanë zbuluar se dy ekipet nga Bundesliga po kërkojnë informacione në lidhjen me sulmuesin kuqezi.

The Athletic shkruan se Stuttgard dhe Leipzig kanë shfaqur interes për lojtarin e Chelsea-t. Te Stuttgarti, Broja shihet si një zëvendësim i mundshëm për Nick Woltemade, i cili ka tërhequr interes nga Bayern Munich.
Ndërkohë, Leipzig mund të transferojë Brojën si një opsion për fazën sulmuese nëse Benjamin Sesko largohet këtë verë.
()