Tue, Jul 15, 2025

Dorëheqje masive në Sarandë pas urdhrit të Ramës: Largohen nënkryetarët, administratorët dhe të gjithë drejtorët e bashkisë

  • PublishedJuly 15, 2025

Dorëheqje masive në Sarandë pas urdhrit të Ramës: Largohen nënkryetarët, administratorët dhe të gjithë drejtorët e bashkisë

Pas ultimatumit të Kryeministrit Edi Rama, Bashkia e Sarandës ka dorëzuar dorëheqjet masive të drejtuesve të saj.

Burime për News24 bëjnë me dije se mëngjesin e kësaj të hëne (15 korrik), kanë dhënë dorëheqje të gjithë nënkryetarët, administratorët dhe drejtorët e Bashkisë Sarandë, pas kërkesës së qartë të Ramës për një “pastrim” në radhët e drejtuesve me performancë të dobët.

E njëjta lëvizje është regjistruar edhe në bashkitë Belsh dhe Prrenjas, ku disa nga kryetarët e njësive administrative kanë depozituar dorëheqjen.

Kujtojmë se më 11 korrik, gjatë një mbledhjeje me kryebashkiakët, kryeministri Rama i dha ultimatum drejtuesve vendorë për të larguar nga detyra të gjithë kryetarët e njësive administrative, duke kërkuar hapësirë për figura të reja dhe më të afta.

“Kryetarët e njësive administrative të Republikës së Shqipërisë duhet të shkarkohen. T’iu ri-jepet mundësia, por duke iu dhënë mundësi edhe të tjerëve që mund të jenë më të zotë se ata”, – tha Rama, duke shtuar se besimi i rritur në PS duhet të reflektohet në efikasitet dhe cilësi në nivel vendor.

Në ditët në vijim priten zhvillime të ngjashme edhe në bashki të tjera të vendit, në kuadër të kësaj reforme të brendshme administrative që synon “freskimin” e administratës vendore.