Fri, Dec 26, 2025

Kamioni përplaset me një automjet në tunel, tre viktima dhe dy të plagosur rëndë

Kamioni përplaset me një automjet në tunel, tre viktima dhe dy të plagosur rëndë
  • PublishedJuly 15, 2025

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mesditën e së martës në autostradën A1 në provincën e Firences, përgjatë segmentit Variante di Valico, brenda tunelit “di Base”. Ngjarja tragjike u regjistrua rreth orës 14:30, kur një kamion u përplas me një automjet tip veturë, duke shkaktuar vdekjen e tre burrave dhe plagosjen e rëndë të një gruaje 35-vjeçare dhe një vajze të mitur.

Sipas hetimeve paraprake, automjeti i viktimave dyshohet se është ndalur papritur brenda tunelit, duke u bërë shkak për aksidentin fatal. Disa makina që udhëtonin pas tij arritën të shmangnin përplasjen, por jo edhe kamioni, i cili nuk mundi të frenonte në kohë dhe u përplas me forcë me veturën.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të ndalimit të papritur të automjetit. Po analizohen pamjet filmike të kamerave të sigurisë të vendosura në tunel për të sqaruar në detaje rrethanat e ngjarjes.

Forcat zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, por për fat të keq, mjekët konstatuan vdekjen e menjëhershme të tre personave. Ndërkohë, gruaja e plagosur rëndë u transportua me helikopter në një spital të specializuar në gjendje kritike për jetën. Edhe vajza e mitur u dërgua me urgjencë për trajtim mjekësor.

Për shkak të aksidentit, segmenti i autostradës midis Firenzuola dhe Badia, në drejtim të Bolonjës, u mbyll për disa orë, duke shkaktuar trafik të rënduar dhe vonesa të gjata në qarkullim. Autoritetet italiane u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve për kujdes të shtuar në zonat me rrisk të lartë, sidomos brenda tuneleve.