Përfshihet nga flakët autobusi pranë tunelit të Skërficës, zbardhen detajet e para
Një incident është shënuar paraditen e sotme në aksin rrugor Kardhiq–Delvinë, ku një autobus ka marrë zjarr pranë tunelit të Skërficës. Flakët përfshinë pjesën e motorit të mjetit, duke shkaktuar panik të përkohshëm, por fatmirësisht pa pasoja për jetën e pasagjerëve apo drejtuesit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje mbërritën dy automjete zjarrfikëse. Ndërkohë, drejtuesi i autobusit kishte ndërhyrë me mjete zjarrfikëse dore, duke frenuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit deri në mbërritjen e forcave zjarrfikëse.
Zjarri u vu plotësisht nën kontroll, ndërsa zona u sigurua nga shërbimet përkatëse. Sipas të dhënave paraprake, dëmet janë të kufizuara vetëm në pjesën e motorit, ndërsa kanë nisur hetimet për shkaqet e ngjarjes.