Sekuestrimi i bulmetit si rikthim në errësirën e tufëzimit
NGA ADRI NURELLARI
produktet artizanale bujqësore pa faturë tatimore, duke ringjallur kujtime të errëta të një reforme ekstreme të regjimit komunist të njohur si “tufëzimi”. Diktatura komuniste e ndërmori këtë nismë për ta zhveshur qytetarin edhe nga të paktat prona që i kishin mbetur menjëherë pas izolimit total që ndodhi pas prishjes me Kinën dhe ndërprerjes së ndihmave bujare të Pekinit. Fshatarëve iu morën edhe kafshët e fundit të oborrit, të cilat u bashkuan në “tufa kolektive” nën administrimin e kooperativës dhe ky veprim solli rënie të menjëhershme të prodhimit, varfëri ekstreme dhe shkatërrim të blegtorisë. Sot rikthehet e njëjta histori në një formë të re, jo me marrjen e bagëtive, por me ndalimin e të ardhurave të pakta të familjeve që mezi përballojnë jetesën duke shitur ndonjë vezë apo gjizë. Kjo masë e qeverisë nuk është formalizim, por një tufëzim modern, që rrezikon të zhysë në varfëri dhe pasiguri ekonomike një shtresë që duhet të mbrohet e jo të ndëshkohet. Thënë ndryshe, qeveria sot nuk të merr më bagëtinë, por të ndalon të mbijetosh me të.
Madje, edhe Ramiz Alia, diktatori i fundit, ka shprehur pendesë për tufëzimin (ndërkohë që nuk u pendua kurrë për vrasjet gjakftohta të rivalëve politikë, disidentëve apo atyre që arratiseshin). Mjafton kaq për të kuptuar sa katastrofike ishte ajo politikë për ekonominë familjare shqiptare. Tufëzimi asokohe nuk preku vetëm jetën në fshat, por edhe në qytet. Këtë e them me bindje personale, sepse edhe pse isha ende fare kalama, mbaj fort të freskët në kujtesë “operacionin klandestin” të mbajtjes së pulës në shtëpinë tonë në Berat. Po flasim për një kotec të improvizuar mu pranë qindra librave të bibliotekës familjare, si për të balancuar erën e glasës së pulës me aromën e letërsisë klasike. Pranë “Iliadës” së Homerit dhe veprave të shokut Enver, kakariste triumfalisht pula jonë ilegale. Në atë kohë, jo vetëm që ndihesha për herë të parë i përfshirë në një aksion të paligjshëm (mbase edhe disident), për mbajtjen e pulës për vezë, por më ishte besuar edhe një detyrë kyçe. Përgjegjësia ime si pjesëtar i rezistencës ndaj tufëzimit ishte që rrugës nga shkolla duhet të gjeja ndonjë copë guri gëlqeror, në mënyrë që pula të kishte kalcium për të prodhuar gollovezhgën e vezës. Megjithatë, përtej sarkazmës me atë njollë të hidhur të historisë sonë, me keqardhje sot, po rikthehet një formë e ngjashme ekstremizmi shtetëror.
. Me urdhrin për sekuestrimin e produkteve artizanale pa faturë tatimore, po goditen fshatarët që mbajnë gjallë veten me shitjen e prodhimeve të bahçes duke u trajtuar si të ishin kontrabandistë. Mirëpo ata që shesin pa faturë nuk janë spekulatorë, por familje në zgrip, në kufijtë e mbijetesës. Në vendet e zhvilluara perëndimore, prodhimi artizanal i fermerëve të vegjël inkurajohet si shtyllë e ekonomisë rurale, trashëgimi kulturore, atraksion turistik, ruajtëse e biodiversitetit ushqimor dhe mbështetëse e zhvillimit të qëndrueshëm lokal. Në vend të ndëshkimit të menjëhershëm, shteti ndërton mekanizma tranzicioni, duke ofruar licencime të thjeshtuara, përjashtime fiskale, standarde të përshtatura, mbështetje teknike për të arritur këto standarde dhe tregje të veçanta për prodhimet artizanale. Një qeveri e arsyeshme e kupton që represioni mbi ekonominë informale të mbijetesës nuk sjell formalizim, por shuarje të jetës në fshat. Kjo qasje bazohet jo vetëm në logjikën ekonomike (të tipit nuk mund të nxjerrësh dhjam nga pleshti), por edhe në një lloj empatie racionale ndaj atij segmenti shoqëror që po nuk e mbajti dot veten në këmbë me këtë veprimtari, kthehet në barrë nevojtare për të marrë asistencë sociale nga shteti. Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me mungesë arsyeje, por edhe me standarde të dyfishta flagrante.
Për të kuptuar absurditetin moral të kësaj qasjeje, mjafton të hedhësh sytë nga tregu i karburanteve apo rasti i “Bankers Petroleum”, tashmë i denoncuar nga SPAK, për të parë se kush janë vërtet evazorët dhe kontrabandistët, që i bëjnë gropën e madhe buxhetit të shtetit. Lufta ndaj informalitetit nuk nis nga një kavanoz gjalpi apo një bidon qumësht, por nga miliarda të munguara nëpër sistem për shkak të aktorëve të mëdhenj me lidhje politike. Kur një shtet frikësohet të prekë të mëdhenjtë dhe e shfryn autoritetin mbi njerëzit më të pambrojtur, jo nuk është më politikë – është padrejtësi sistemike me firmë qeveritare. E njëjta logjikë absurde u pa edhe kur qeveria socialiste ndërmori aksionin masiv për të goditur mospaguesit familjarë të energjisë elektrike dhe mandej u detyrua të tërhiqej, pasi kuptoi se efekti në buxhet ishte minimal, ndërsa pakënaqësia dhe kostoja elektorale po merrte përmasa të jashtëzakonshme. Për të vijuar me paralelizmat historike, ashtu sikurse Ramiz Alia u detyrua të zmbrapsej nga politika e tufëzimit (në kushtet e zisë së bukës të fundit të viteve ‘80-të të shpallte “mekanizmin e ri ekonomik” dhe iu dha familjeve me më shumë fëmijë nga një lopë dhe iu kthyen fshatarëve nga dy dynym toka për të mbajtur gjallë frymën e fshatit) edhe Rama u detyrua të tërhiqej nga fushata ndëshkuese për dritat e papaguara të banesave.
Madje, në realitet, shkaktarët kryesorë të humbjeve dhe mungesës së faturimit të energjisë janë institucionet publike dhe ndërmarrjet shtetërore, që vazhdojnë të funksionojnë pa ndëshkim. Ky fakt përbën një hipokrizi morale të rëndë të kësaj qeverie, e cila predikon ligjshmëri ndaj më të varfërve, ndërsa vetë nuk e zbaton në praktikë me institucionet që i kontrollon vetë. Vetëm për ilustrim: ujësjellës-kanalizimet shtetërore kanë qindra miliona euro borxh ndaj OSHEE-së, ndërsa OSHEE-ja i ka qindra miliona euro borxh KESH-it për energjinë e papaguar. Ky veprim ekstrem nuk është as i izoluar e as i rastësishëm. Ashtu sikurse tufëzimi gjatë regjimit komunist u përshpejtua pas prishjes me Kinën dhe ndërprerjes së ndihmës, edhe sot kemi të bëjmë me një reagim ndaj një krize të brendshme, që lidhet me këtë model të paqëndrueshëm të qeverisjes. Nga njëra anë sot kemi një sistem administrimi të fryrë, ku miliarda shkojnë për pagat e dhjetëra mijëra patronazhistëve parazitë apo për qindra kontrata abuzive e klienteliste.
Nga ana tjetër, të ardhurat e qeverisë po pakësohen ndjeshëm për shkak të emigracionit masiv të të rinjve produktivë, të cilët janë taksapaguesit realë të këtij vendi, përmes konsumit, punës dhe kontributeve shoqërore. Në këtë kontekst, goditja mbi fshatarin me dy pula, ca vezë në qese dhe një kavanoz djathë nuk është thjesht absurditet, por është shenjë paniku nga një model që po shembet nga brenda, duke kërkuar mbijetesë jo përmes reformës, por përmes represionit. Thënë ndryshe, qeveria po zgjedh të kompensojë mungesat përmes represionit fiskal ndaj më të pambrojturve, sepse është më e lehtë të ndëshkosh një fshatar me bidon qumështi, sesa të ndalësh kontratat ku burojnë ryshfete të majme apo ristrukturosh sektorët që gëlltitin miliarda pa sjellë vlerë të shtuar në ekonomi. Prandaj mund të thuhet pa dyshim, që kjo masë, sado e ashpër, maksimumi mund të arnojë përkohësisht një situatë, që në thelb është e paqëndrueshme. Nuk zgjidhen problemet strukturore ekonomike me sekuestrim bidonësh qumështi. Për sa kohë ‘Shell’-i po tërhiqet nga Shpiragu dhe nuk kemi fluksin e petrodollarëve të naftës më të mirë në botë (siç u premtua me bujë e madje u nis edhe projekti i krijimit të një fondi sovran të stilit të Norvegjisë apo vendeve të OPEC-ut për të menaxhuar tepritë e parave). Për sa kohë turistët nuk po mbajnë radhë për t’u shtrirë në shezlongët e rivierës dhe sezoni funksionon me të keq për vetëm dy muaj të verës.
Dhe më e rëndësishmja, për sa kohë Shqipëria vazhdon të shpopullohet me 3–4% të të rinjve që emigrojnë çdo vit, financat publike nuk mund të mbijetojnë pa reforma radikale në mënyrën si shpenzohet buxheti. Nëse nuk goditen administrata e mbingarkuar, klientelizmi politik dhe shpenzimet e tepruara abuzive, çdo veprim ndëshkues ndaj të varfërve mbetet thjesht një fasadë e përkohshme me orë të numëruara e një modeli që po shembet nën peshën e vet. Historia na mëson se kur shteti i bie më të dobëtit, i bie murit me kokë. Ashtu si dje, edhe sot, politika që sfidon logjikën dhe përplas dinjitetin njerëzor në skaj, rrënohet shpejt. Sepse njerëzit mund të heshtin për një kohë, por kur preket buka, dinjiteti dhe mbijetesa, reagimi është i pashmangshëm./Gazeta Panorama