Tue, Jul 15, 2025

Siguria dhe mbrojtja e Kosovës, Shqipëria dhe NATO

  • PublishedJuly 15, 2025

Siguria dhe mbrojtja e Kosovës, Shqipëria dhe NATO

NGA EKREM SPAHIA 

Agresioni rus në Ukrainë ka hyrë në vitin e katërt dhe nuk ka të ndalur. Shovinizmi rus nuk njeh kufij, as norma ndërkombëtare. Ndërkohë, sapo u krye thuajse një provë lufte në Lindjen e Mesme: një veprim aventuresk apo një përllogaritje e gabuar mund të kishte aktivizuar, e pakta, lëndë bërthamore. Për të ardhur më afër në gjeografinë e pasigurisë, jo larg në kohë, dy vjet më parë, forca paramilitare serbe, të planifikuara mjaftueshëm në shtabet e Beogradit për nga numri, armatimi, pajisjet, rezervat, mbështetja dhe aftësimi luftarak, kryen sulmin ndaj forcave sovrane të sigurisë së Kosovës në Banjskë, me qëllim provokimin e një fronti lufte me përfshirjen e gjithë makinerisë informative, policore e ushtarake të Serbisë, për të justifikuar ripushtimin e Kosovës, ose të paktën të pjesës veriore të saj.

Ndërkohë, Serbia, krahas fushatës së ethshme për të fituar “statusin” e të ndëshkuarit pa të drejtë ndërkombëtare për çështjen e Kosovës, po armatoset gjithnjë e më shumë me armë ofensive të siguruara nga Rusia dhe Kina. Sapo është mbajtur Samiti i NATO-s, i cili shprehu një angazhim substancial në shpenzimet për sigurinë dhe mbrojtjen: aleatët të rrisin shpenzimet deri në 5% të PBB-së, çka tregon se kërcënimet ndaj sigurisë në botë pritet të jenë më të afërta në kohë dhe më të mprehta në ashpërsi. Dhe nuk është më sekret: Kosova është objektiv imediat. Presidenti i SHBA-ve para pak ditësh u shpreh se ka parandaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk është çështje akademike për të kërkuar si, kur, kush, me çfarë etj.. E rëndësishme është që kreu i shtetit më të fuqishëm aktualisht në botë, ndër tri konflikte me pasoja botërore, përmendi atë Kosovë-Serbi. Duke folur më 10 korrik në një ligjëratë në Uashington, Presidentja Osmani tha se kjo deklaratë e Presidentit Trump, qartazi, u referohet “javëve të fundit” dhe se bëhet fjalë “për zhvillime shumë, shumë të vona”.

Ky, pra, është kuadri i sigurisë në Kosovë. Pyetjet që dalin për garantimin e kësaj sigurie janë të shumta dhe përfshijnë shumë aktorë dhe shumë fusha. Në radhë të para dhe vetvetiu, pyetja e parë u shtrohet të zotëve të shtëpisë, institucioneve dhe popullit shqiptar të Kosovës. Nëse pranojmë që mbrojtja është, në radhë të parë, ekonomi, atëherë do të konstatojmë se Kosova është vendi i dytë më i varfër në Europë bazuar në PBB për frymë.

Nëse pranojmë që stabiliteti politik mundëson një stabilitet ekonomik dhe rrjedhimisht stabilitet të mbrojtjes, atëherë fakti thuajse tronditës kur ende pas 46 orvatjesh nuk është konstituuar akoma Parlamenti i ri, edhe pse ka kaluar pothuajse gjysmë viti, atëherë do të pranojmë se të parat që janë prekur janë siguria e mbrojtja. Dhe kjo ndodh pikërisht kur retë për sigurinë e Kosovës mbeten të errëta: njohjet ndërkombëtare janë stopuar; raportet me aleatët e mëdhenj natyralë janë lënduar; situata e sigurisë në rajon është e kërcënuar nga shumë aktorë e faktorë.

Prezenca e NATO-s në Kosovë është domethënëse. “NATO tani është shumë më e përgatitur për të projektuar fuqiushtarake, diplomatike dhe ekonomike në një shkallë që kundërshtarët tanë nuk mund të ëndërrojnë ta arrijnë, duke penguar kështu luftërat e ardhshme”, – u shpreh këto ditë Sekretari i Shtetit Amerikan, Marco Rubio. Por, njëherësh duhet të mësohemi me prirjet normale historike se nuk ka aleanca të përjetshme, se edhe NATO nuk është e përjetshme. Siç duhet të mësohemi me parimin se për mbrojtjen tënde je përgjegjës në radhë të parë vetë, se duhet të paguash edhe për mbrojtjen, si për çdo mall tjetër. Sigurisht, Kosova ka plane mbrojtjeje dhe ushtarake, ku janë bërë edhe investime dhe sigurim armatimesh përkatëse. Organizmat përkatëse e dinë nëse janë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur të gjithë skenarëve të mundshëm. Por, detyrimi vjen edhe te Shqipëria. Jo për nacionalizëm të sëmurë. Është detyrim kombëtar, kushtetues dhe moral për çdo paralele të tillë në botë.

Është normale që Shqipëria duhet të ketë plane mbështetjeje për shtetin dhe popullin vëlla të Kosovës, për më tepër duke qenë edhe anëtar i Aleancës Euro-Atlantike. Çështja është se cila është fuqia e Shqipërisë për ta bërë këtë gjë jo si deklaratë politike, por si faktor me peshë të gjithanshme ekonomike, politike, të sigurisë dhe ushtarake. Dhe faktorizimi fillon që me aktivizimin e niveleve strategjike, përkatësisht të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Po Kuvendi i Shqipërisë pse nuk del me një rezolutë për situatën e tensionuar? Ndërkohë, është detyrim që, në këto kushte, Shqipëria, qeveria e saj, e mbështetur nga opozita, do të duhet të alokojë buxhet të posaçëm. Përndryshe, të gjitha përbetimet politike mbeten si fushatë elektorale.

* Autori, ish-zëvendësministër i Mbrojtjes