Wed, Jul 16, 2025

Nga Parisi në Londër, ja si Siner bëri historinë në tenis

  • PublishedJuly 16, 2025

Nga Parisi në Londër, ja si Siner bëri historinë në tenis

Nga 8 qershori 2025 deri më 13 korrik, 35 ditë për t’u bërë legjendar. Nga finalja e Roland Garrosit deri te finalja e Uimbëlldonit, Siner kundër Alkarazit, ishte akti i 13-të i një rivaliteti të destinuar të zgjaste shumë. Pas një ndeshjeje maratonë dhe me 3 “match point” të shpërdoruara, në Paris festa i takoi Alkarazit.

Një rezultat krejtësisht i ndryshëm në Londër, aty ku Siner kapërceu vështirësitë fillestare për të marrë fitoren e tij të parë në karrierën në turneun e Uimbëlldonit, duke thyer serinë e dy triumfeve radhazi të Alkarazit (2023 dhe 2024) dhe duke u bërë italiani i parë që fiton Grand Slamin e Londrës. Një fitore që është manifestimi i talentit të Janik Sinerit. Në 35 ditë, gjithçka duket se ka ndryshuar. Para së gjithash, sipërfaqja e fushës së lojës, shumë më e përshtatshme për Sinerin në krahasim me dheun e kuq të Parisit.

Janik ka treguar se është shumë më komod dhe, përveç ndeshjes kundër Dimitrovit, u ka lënë kundërshtarëve e tij vetëm “thërrime”. Suksesi i Uimbëlldonit vjen mes një morie pengesash. Menaxhimi perfekt i dëmtimit të bërrylit që pësoi në ndeshjen kundër bullgarit e ndihmoi të rritej, njësoj si në çerekfinalen e vitit të kaluar kundër Medvedevit. Pra, Siner u afrohet situatave me racionalitet ekstrem, përpunon atë që ndodhi dhe rifillon me qëllimin për të mësuar prej tyre dhe për t’u përmirësuar.

Menaxhimi i të papriturave është pjesë e aftësive të kërkuara nga numri një i botës: të dish si të përshtatesh me situatat dhe të reagosh, edhe pse kjo është e lehtë për t’u thënë, por e vështirë për t’u vënë në praktikë. Dhimbja e humbjes së finales në Paris ishte një stërvitje shkëlqyer për italianin: “Humbja ishte tepër e vështirë, por në fund të fundit, nuk ka rëndësi se si fiton ose humbet. Në turne të rëndësishme veçanërisht,s duhet ta harrosh të kaluarën dhe të vazhdosh të punosh. Kjo është një nga arsyet pse jam këtu me këtë trofe”, tha Siner menjëherë pasi fitoi finalen, duke mbajtur në duar trofeun më prestigjioz të tenisit.

Fjalët e tij pasqyrohen nga deklaratat e trajnerit të tij Simone Vanjoci, i cili, së bashku me Darren Kahill, ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e Sinerit: “Pas Parisit, ishte shumë e vështirë. Ne folëm shumë, duke i thënë se ishim vërtet krenarë për atë që kishte bërë në Roland Garros dhe se ishim të bindur se ai do të ishte në gjendje të luante një turne të mirë këtu”. Të rrëzohesh, të ngrihesh, të rrëzohesh, të ngrihesh. Diçka që vetëm lojtarët numrat një mund ta bëjnë, dhe i tillë është Janik Siner.


AlbaniaWeb.net