“Nuk më mbushet mendja fare!” – Babai i Renis Dobrës rrëfen bisedën e fundit me të birin dhe kundërshton pistën e drogës
Rifat Dobra, babai i Renis Dobrës që u vra më 8 korrik në Mat, hedh poshtë pretendimet se vrasja e të birit lidhet me pazare droge në Gjermani. Në një intervistë për emisionin “Me zemër të hapur”, ai deklaroi se ishte personi i fundit që kishte folur me 23-vjeçarin, vetëm pak minuta para se ky i fundit të zhdukej.
“Djali im iku për kafe në Burrel në orën 17:00. Në orën 21:36 më telefonoi dhe më tha: ‘Babi po nisem për në shtëpi’. I thashë ‘mirë babi, mirë ardhsh’. Por nuk mbërriti kurrë”, tha ai.
Sipas tij, rruga nga Burreli deri në shtëpinë e tyre zgjat rreth 5 kilometra dhe Renisi u zhduk shumë pranë banesës. Trupi i pajetë u gjet nga familjarët pranë liqenit të Shkopetit, ndërsa makina rezultoi brenda në ujë.
I pyetur për versionin e policisë që lidhet me përplasjet për drogë në Gjermani, Rifat Dobra ishte i prerë:
“Nuk më mbushet mendja fare që vrasja e djalit tim ka ndodhur për probleme në shtetin gjerman. Ne si prindër nuk kemi asnjë dyshim.”
Policia ka arrestuar dy autorë të dyshuar: Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjokaj, ndërsa janë shpallur në kërkim vëllezërit e këtij të fundit, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj. Hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht motivin dhe rrethanat e ngjarjes.