Rama thirrje qytetarëve: Denonconi noterët dhe avokatët që kërkojnë pagesë për shërbimet në e-Albania
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot përmes një postimi në rrjetet sociale duke i bërë thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast kur noterët, avokatët apo subjektet e tjera private kërkojnë pagesë për shërbimet që ofrohen falas në platformën e-Albania.
Sipas Ramës, kjo përbën shkelje të ligjit dhe mund të çojë deri në heqjen e licencës së profesionistëve që abuzojnë.
“Çdo subjekt privat (noter, avokat apo zyrë tjetër) që kërkon pagesë për shërbime të ofruara nga e-Albania është në shkelje të ligjit dhe mund të denoncohet pranë institucioneve përkatëse e sanksionohet deri në heqjen e liçencës”, shkruan Rama.
Ai shton se zyrat e bashkive dhe njësitë administrative janë të detyruara t’u japin asistencë qytetarëve për përdorimin e platformës, pa asnjë pagesë.
Postim i kryeministrit Edi Rama:
Të gjithë qytetarët që kanë nevojë për asistencë në përdorimin e platformës e-Albania për shërbime të caktuara, mund t’i drejtohen në çdo qytet zyrave të bashkive, si dhe njësive administrative përkatëse, për të marrë shërbimin e kërkuar, FALAS.
Çdo subjekt privat (noter, avokat apo zyrë tjetër) që kërkon pagesë për shërbime të ofruara nga e-Albania është në shkelje të ligjit dhe mund të denoncohet pranë institucioneve përkatëse e sanksionohet deri në heqjen e liçencës.