Wed, Jul 16, 2025

Vangjel Mile, 38 ditë për të ndërtuar Tiranën e madhe! Pluset dhe minuset e emërimit të beratasit

  • PublishedJuly 16, 2025

Vangjel Mile, 38 ditë për të ndërtuar Tiranën e madhe! Pluset dhe minuset e emërimit të beratasit

Tirana emëroi Vangjel Milen në krye të skuadrës, duke i dhënë fund pritjes së tifozëve se kush do të ishte pasuesi i Bledi Shkëmbit. Ish-lojtari i shumë skuadrave në Kategorinë Superiore dhe drejtori i akademisë “Tirana” ka një detyrë të vështirë përpara. Së pari, të bëjë për vete tifozët bardheblu, të marrë rezultate, Tirana të mos jetë më e teta dhe minimalisht të kualifikohet në Europë.

Tej objektivave afatshkurtër apo afatgjatë, emërimi i Vangjel Miles ka të mirat dhe kleçkat e veta.

TË MIRAT – Vangjel Mile është një djalë i pakonsumuar në trajningun shqiptar, lojtar i shumë skuadrave shqiptare dhe europiane. Ka licencë UEFA Pro, ndërsa vjen nga akademia e Tiranës. Do të sjellë ide të reja si në organizim dhe në lojë. Ardhjen e tij, tifozët e kanë pritur shumë mirë dhe do t’i ketë në krah. Një afrim që do të sjellë një filozofi të re te bardheblutë dhe të gjithë argumentet e mësipërme janë plus për trajnerin.

“KLEÇKAT” – Problemi i parë është që Vangjel Mile nuk ka eksperiencën e stolit. Trajnon për herë të parë dhe te Tirana është pak e vështirë. Në të tilla skuadra, duhet të jesh shumë i fortë psikologjikisht për të mbajtur presionin e një fanelle të rëndë.

Grupi duhet të menaxhohet ne kujdes, ndërsa është edhe ngarkesa e rezultateve. Te Tirana, intimidimi është i madh, ndërsa nga ana tjetër, sa të dalë në rrugë Mile do ta ndjejë shumë presionin. I duhet të riformatojë një skuadër nga fillimi dhe nuk do të jetë e lehtë. Nga grupi kanë ikur shumë futbollistë dhe Mile duhet të vërë rregull si taktik dhe në numra. Kleçka këto që ta vështirësojnë jo pak punën e zakonshme. Në fund është koha. Nga tani e deri sa të nis kampionati ka vetëm 38 ditë kohë për të ribërë nga e para ekipin 26 herë kampion.


AlbaniaWeb.net