Kishin zënë hapësira publike përreth stadiumit “Arena Kombëtare”, policia sekuestron tavolinat, karriget dhe vazot! Nisin hetimet për 7 administratorët e lokaleve
Policia e Shtetit vendosi të procedojë penalisht djalin e një 67-vjeçari, në zonën e “Ali Demit”, në Tiranë, pas një serie denoncimesh, ankesash të njëpasnjëshme për një konflikt atipik të lindur me banorët e zonës.
Ndërkohë që babai i tij ishte arrestuar 7 ditë më parë dhe ndaj tij rëndojnë 4 akuza për vepra penale. “‘Rrugës së lirë’” i ka dalë pronari dhe nuk lejon askënd të kalojë. ‘Tokë e Xanun’, nuk kalon njeri pa lejen time. Edhe Edi Rama të vijë, këtu nuk kalon”, kështu shprehen banorët e “Ali Demit”, për konfliktin që ka lindur prej disa vitesh me një biznesmen të zonës.
Policia procedoi penalisht dhe më pas gjykata vendosi të dënojë me 20 ditë burgim Bujar Dostin dhe djalin e tij, Erald Dostin, për shkak se kishin zaptuar një rrugë kalimi midis dy pallateve. Ata e kishin bllokuar me mur dhe me blloqe hyrjen e një pallati me pretendimin se ishte prona e tyre, duke bllokuar në këtë mënyrë dhe portën dhe aksesin e banorëve në garazhin e pallatit.
Në redaksinë e gazetës “Panorama” kanë mbërritur disa denoncime për këtë rast unikal, ku sipas banorëve të një pallati të ndërtuar zonë e njohur si ish-Uzina Mekanike Gjeologjisë e Tiranës, historia e tyre është bërë si një film serial, me sherre e shamata prej disa vitesh.
PRIVATIZIMI
Objekti i sherrit janë pronat e ish-Uzinës Mekanike Gjeologjike në Tiranë, të privatizuara në vitin 1999-të. Objekti nr. 2 që përmbante (sondat, pompat dhe artikujt e zyrave të laboratorit si dhe lavazhin e Uzinës Mekanikë u privatizuan nga familja e Bujar Dostit, por nga shkresat zyrtare bie në sy se Bujar Dosti ka futur në sipërfaqen e truallit edhe rrugën, e cila sipas banorëve, por edhe sipas dokumenteve zyrtare dhe genplaneve emërtohet si “Rrugë e lirë” për kalimin e automjeteve dhe qytetarëve.
Ndërkohë që pjesa tjetër e ish-Uzinës është privatizuar nga një sipërmarrës tjetër dhe në këtë truall ka investuar duke ndërtuar një pallat. Bëhet fjalë për godinën përballë pronës së Bujar Dostit, rruga në mes dy pallateve, që është shndërruar në objekt konflikti. Sipas dëshmive, biznesmeni Dosti u kishte bllokuar rrugën, duke ndërtuar një mur në atë që duhet të ishte trotuari i pallatit. Ndërkohë që shpeshherë bllokonte me makina edhe hyrjen për në garazhin e pallatit përballë. Së fundmi hyrja e garazhit ishte bllokuar me blloqe betoni.
DENONCIMET
Disa banorë të zonës për të cilët për arsye sigurie nuk duan të tregojnë gjeneralitet janë shprehur se konflikti me familjen Dosti vijon prej më shumë se një viti e gjysmë. Një banor shprehet se shpeshherë janë detyruar të marrin policinë për të zgjidhur situatën, pasi rrugën e gjejnë të bllokuar dhe nuk u lejohet aksesi në garazhin e pallatit.
“Rruga ka qenë historikisht e lirë dhe si tillë ekziston në dokumentet e institucioneve. Bashkia e Tiranës që përpunon të gjitha pronat shtetërore dhe i çon për privatizim. I çon me genplanet përkatëse, e ka të shënuar grafikisht, si me sigël dhe me numër, sa është gjatësia dhe sa është gjerësia e rrugës. Të habit fakti se tek genplani i bashkisë, që është një genplan mëmë për të gjithë Uzinën Gjeologjike dhe të tria genplane të privatizuara veç e veç, por në të tria rastet është i njëjti plan vendosje. Pra, në të gjitha rastet është e shënuar si ‘Rrugë e lirë’ të lihet e lirë për qarkullim”, – shprehet banori i pallatit.
Më tej, banori shprehet se: “Kanë arritur deri aty saqë përveç rrugës, kanë marrë dhe një kabinë elektrike me sipërfaqe 140 metra katrorë, pronë shtet, e kanë futur në hartën treguese sikur e kanë të vetën”.
BLLOKIMI DHE KONFLIKTI
Banorët shprehen se institucionet ligjzbatuese deri para arrestimit të Bujar Dostit kanë qenë inekzistente. Sipas tyre, punonjësit e policisë nuk shfaqeshin në këtë zonë, pasi e dinin që ishte çështje në konflikt dhe se një pjesë e tyre banonte në pallatin e ndërtuar nga Bujar Dosti.
“Institucionet kanë qenë thuajse inezkistente dhe policia e rajonit nr.1 ishte mbështetje për të, sepse aludohet që punonjës të caktuar të policisë janë qiraxhinj te ky zotëria. Kur thërriteshin forcat ‘Shqiponja’, ata na thoshin se aty ka konflikt dhe nuk vinin. Policia edhe pse e shikonte që vizualisht është rrugë, edhe pse ka dokumentin e firmës ndërtuese që është rrugë, por nga ana tjetër mjaftohej nga një dokument i falsifikuar nga ana e tij, që thotë është rruga ime! Kohët e fundit ai shprehej se rrugën nuk e hap edhe po të vinte vetë Edi Rama”, – shprehët një tjetër banor i “Ali Demit”.
AKSIONI I PRISHJES
Policia Bashkiake vendosi në vitin 2024 të shembë murin prej betoni të ndërtuar nga Bujar Dosti, për të veçuar pallatin e ri të ndërtuar në Ish-Uzinën Gjeologjike, pasi ka konstatuar shkelje ligjore.
“Pasi u prish objekti, pra muri nga Policia Ndërtimore, Bujar Dosti e çoi në gjykatë dhe gjykata ia rrëzoi pretendimin, nuk e pezulloi vendimin. Muri bllokonte portën e garazhit, por ka qenë derë e pronës ekzistuese. Nuk kemi të bëjmë me bllokimin e një dere garazhi, por derën e një prone publike. Ky ishte shqetësimi ynë si banorë, që si ka mundësi, pak rëndësi e kujt është toka, ne kemi një derë që duhet të hymë në garazh dhe nuk futemi dot. Dhe e dyta, nuk futemi dot vetëm ne, sepse ajo si rrugë funksionon. Trotuari nuk bëhej, sepse ky zotëria e përdorte për parkuar makinat e biznesit të tij, në një kohë që në krye të rrugës është ndalim automjetesh. Policia ka heshtur një vit e gjysmë, si polici i zonës. Na kanë lënë në konfliktohemi në mënyrë me mjerane”, – shprehet një tjetër banor i zonës.
Babë e bir në pranga në “Ali Dem”, 4 veprat penale ndaj Dostit
Policia e Shtetit njoftoi ditën e hënë arrestimin e djalit të një 67-vjeçari, Erald Dosti, 25 vjeç, ndërkohë që një javë më parë kishte vënë në pranga babain e tij, Bujar Dostin. “Lirohet një hapësirë në rrugën ‘Ali Demi’, që ishte zënë nga familjarët e një 67- vjeçari të arrestuar rreth 1 javë më parë për këtë paligjshmëri. Procedohet penalisht djali i 67-vjeçarit.
“67-vjeçari dhe familjarët e tij e zinin vazhdimisht hapësirën, me blloqe betoni dhe me automjete, si dhe konfliktoheshin me banorët e zonës që ata të mos parkonin automjetet. Në kuadër të një procedimi penal, të regjistruar nga Prokuroria e Tiranës, për veprat ‘Falsifikimi i dokumenteve’, ‘Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’, ‘Vetëgjyqësia’ dhe ‘Kanosja’, specialistët e sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DPPSH-së, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’ të DVP Tiranë dhe me shërbimet e Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Trotuareve dhe Zgarave, Bashkia Tiranë, ekzekutuan urdhrin për lirimin e një hapësire publike në rrugën ‘Ali Demi’”, – thekson policia.
Ndërkaq, në njoftimin zyrtar thuhet se: “Sot (e hënë), nga hapësira u hoqën blloqet e betonit, ndërkaq, më parë, nga e njëjta hapësirë janë hequr dhe sekuestruar 2 automjete. Për këtë rast, më datë 07.07.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, kanë vënë në pranga shtetasin Bujar Dosti, 67 vjeç, ndërsa sot nisi procedimi në gjendje të lirë për djalin e tij, shtetasin Erald Dosti, 25 vjeç. Ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumente në lidhje me pronësinë mbi këtë hapësirë publike, të cilën me vetëgjyqësi e zinin vazhdimisht, me objekte të ndryshme. Gjithashtu, ata konfliktoheshin me banorët e një pallati në këtë rrugë, që këta të fundit të mos parkonin automjetet. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, – thekson policia.
/Gazeta Panorama