Në Tiranë ngrihet instituti i parë në rajon për rehabilitimin e të miturve, Manja: Modeli francez, arsim dhe integrim për fëmijët në konflikt me ligjin
Në zonën e Mëzezit në Tiranë ka nisur puna për ndërtimin e një institucioni të ri dhe të specializuar që do të merret me edukimin dhe rehabilitimin e të miturve në konflikt me ligjin.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, gjatë një vizite në kantierin ku po ndërtohet godina, tha se ky projekt është unik në rajon dhe i dyti në Evropë pas Francës. Institucioni do të fokusohet jo vetëm në ndëshkimin, por në arsimimin, riedukimin dhe integrimin e këtyre të rinjve në shoqëri.
“Do jetë dhe një institut edhe për të miturit që kanë kryer vepër penale, por nuk kanë mbushur moshën për vepër penale. Është e vetmja e llojit të vet në rajon, në Europë e ka vetëm Franca. Ky është një instituti ku të miturit do vijnë të shkollohen njëlloj si bashkëmoshatarët e tyre dhe do diplomohen dhe do jenë gati për t’iu dhënë shoqërisë,” deklaroi Manja.
Sipas tij, qëllimi i këtij institucioni është që të miturit me probleme me ligjin të kenë mundësi të marrin arsimim të rregullt dhe të përgatiten për një kthim dinjitoz në jetën shoqërore. Modeli që po ndiqet është ai francez, i cili fokusohet në ndërtimin e një qasjeje të re – larg izolimit dhe afër edukimit.