Thu, Jul 17, 2025

Rikthimi i vlerave të humanizmit në mjekësi

  • PublishedJuly 17, 2025

Rikthimi i vlerave të humanizmit në mjekësi

NGA DR. EDUARD A. SKUFI

Ngjyrat e romantizmit, në atë bukuri magjepse dhe të praruar, atë kuintesencë magjike, ja jep Mjekësisë prania e vlerave të humanizmit, që sintetizohet në kujdesin dhe empatinë, ndjeshmërinë dhe përkushtimin ndaj pacientit, me fjalën e ngrohtë dhe zemrën e madhe, në praninë e një kodi moral dhe një atitudi, të zhveshur nga interesi dhe koniunkturat. Inspiruar nga aksioma holistike dhe e përjetshme e “babait të humanizmit” Hipokratit se :”Kudo që dashurohet arti i Mjekësisë, ka dhe dashuri për humanitetin”. Më tej kur flladi i Rilindjes shkoi nga “Studia humanitatis” në “humanists”, nga Petrarka tek Erasmus, dhe ku kardiologu i shquar amerikan Mark E. Silverman, mbështetet filozofikisht dhe jep një perceptim modern, po aq dhe të sinqertë: “Praktika Mjekësore është një Art jo tregti, një thirrje jo biznes, në të cilën zemra duhet të ushtrohet një lloj me mendjen tuaj”.

Në meditim, mes impresioneve të mjekësisë në “dy jetë”, me eksperiencën e një mjekësie komuniste, por tradicionale, të një mjekësie kapitaliste veç moderne dhe me imazhin skenik të një mjekësie në “tranzicion”, nuk është e vështirë të konkludosh, se mjekësia po denatyrohet, po i vrasin humanizmin klasik, po e tjetërsojnë. Ky është një realitet i prekshëm, që i ngjan një drame të dhimbshme me akte, ku epilogu tragjik nuk do të jetë i largët dhe ku autorët nuk do të ndihen krenarë. Raporti i botës “on line” me botën “reale”, po e zhvendos qenien njerëzore, duke degraduar mjekësinë. Sot asgjë në mjekësi nuk duhet të konsiderohet e parëndësishme, sa të meritoj vëmendje. Humanizmi është dhe një ndjenjë përgjegjësie sociale, e cila bazohet në cilësitë njerëzore dhe të arsyes. Pa dyshim qëndrimi profesional i mjekut ndaj kujdesit për të sëmurin është aktualisht, krejt ndryshe nga ajo që ishte. Janë kthyer në kujtime, ato foto të bukura pranë krevatit të pacientit, apo shprehjet e humanizmit përmes komunikimit të sinqertë. Vendin e tyre e kanë zënë reklamat e medikamenteve, apo fotot nga Formula 1, ndërsa “Betimi i Hipokratit” është degdisur në ndonjë qoshe, çka bënë që koshienca ta thyej heshtjen.

Kodi i jetës moderne dhe përdorimi i teknologjisë u keq interpretuan dhe u keq trajtuan, si “vartësi e detyruar”. Mbase dhe si formë e një “tranzicioni moral”…Ku mbas një piruete 180º, mjeku u bë formalist, mori peng humanizmin, u largua nga kontakti me pacientin, në një rutinë të pavlerë, duke neglizhuar marrjen e anamnezës dhe observimin e tij. Me kalimin e kohës u shfaqën ndryshime konceptuale që modifikuan virtytet e mjekut dhe atitudinë e tij ndaj pacientit, duke e vendosur jashtë principeve të spektrit etik, në një sistem tjetër referimi, në aventurë “okulte”, të cilat u pasuan me humbjen e dinjitetit dhe të një imazhi antipatik të tij, Në një profil me tepër biznesmeni se sa mjeku, mbase provokativ, që nuk lë vend për interpretim. Ndryshimet socialo-ekonomike dhe teknologjike krijuan një skenë tjetër, duke modifikuar marrëdhëniet mjek pacient, dhe ku mjekët po humbasin vlerat etike, por dhe profesionale, në një “epidemi” të heshtur etikale. Kjo e shoqëruar me rritjen eksponenciale të “merkantilizmit”. Kështu kontakti dhe takimi me pacientin u kthye në rutinë dhe në komercialitet, për pasojë besimi tek mjeku mbeti teorik.

Pacientët u kthyen në klientelë supermarketi, në një maratonë, në kërkim të çmimeve të suportueshme, për shëndetin dhe modës së rekomandimeve, për të gjetur diagnozë dhe mjekim. Çdo gjë justifikohej në emër të aparateve dhe metodave moderne, (pavarësisht aftësisë për interpretim dhe terapisë efikase). Jo pak mjekë enden në një dans epileptoid, drejt lakmisë e fitimit të komoditeve, të aseteve bankare e privilegjeve, në kohë rekord, në një lloj vetëhyjnizimi teokratik. Si version imazherik i “Don Kishotit” të M.Servantes, mes aventurave e hipokrizisë për qëllimin final, apo si “Gilded Wolves” (Ujqërit e Praruar ) të R.Chokshit, ujqërit me pelerinë të artë, që me mistere dhe afera masakronin gjithçka. Psikologjia e fitimit dhe e parasë dominon çdo ndjenjë, duke sakrifikuar çdo vlerë njerëzore, çka përbën argument matematikor.

Dhe kujtesa më çon në referimin predikues të Dr.Th.Sydenham, të “Hippokratit Englez “ dhe themeluesit të Mjekësisë Britanike, pesë shekuj më parë (!), ku citon në veprën e tij monumentale “Observaciones Medicae”:”Humanizmi në mjekësi i sugjeron mjekut t’i shohin pacientët si individë me kompleksitetin e tyre, me integritetin emocional. spiritual, social dhe jo të fokusojnë vetëm në aspektin biologjik dhe patologjik “, dhe me tej vazhdon…”Ka shumë nga ata që e vrasin pacientin që trajtojnë… Duhet të frenojmë më parë instinktin që na shtyn tek fitimi, gjë që na distancon nga atributet që duhet të kemi”…Ata ndodhen në dialog të fshehtë midis komfortit dhe moralit, por fitimet nuk mund të blejnë lumturinë e vërtetë, dhe për më tepër vlerat dhe dinjitetin…Atitudi humanist fokuson në shprehjen e sensibilitetit, dhembshurisë dhe respektit me një sinqeritet komunikues, në një trajtim integral, gjë që reflekton energji pozitive, shpresë dhe optimizëm, por dhe nxit kurajën dhe potencialin tek i sëmuri. Shkrimtari i shquar argjentinas Jorge Luis Borges citon me dritën e mendjes, (se ajo e syve i ishte privuar):”Ndoshta etika sot është një shkencë në zhdukje”… mbase kjo ndodh nga fakti i mos perceptimit të tashmes në mjekësi, që do të shoqërojë mos kontrollimin e të ardhmes. Humanizmi është definuar si një ndjenjë e lartë dhe dashuri e thellë për njerëzit dhe kujdesit ndaj tyre, kur ajo mungon apo dizmorfohet, bashkëjeton me veset. Duhet dikush të kuptojë se mjekësia në esencë nuk është profesion, por funksion jetësor! Mohimi tronditës i trashëgimisë mjekësore dhe modeleve të saj me vlera humanitare, mbetet një defekt i kulturës së sotme mjekësore, veçanërisht për disa vende në zhvillim. Konkurrenca mjekësore e importuar, si fenomen është pragmatik, veç ajo nuk përbën një “simfoni për piano dhe orkestër” personale, por një kompeticion etik, moral dhe mandej profesional. Ne duhet të avokojmë për një ndjenjë humanitare dhe përkujdesje në trajtimin e të sëmurit. Një qasje humanitare ndihmon në reduktimin e depersonalizimit, forcon inteligjencën emocionale, duke i menaxhuar ato perfeksionon metodën e komunikimit. Humanizmi në kujdesin shëndetësor nuk është thjesht një filozofi, është një qasje praktike e nevojshme ndaj kujdesit për të sëmurin, rinovim përmes tradicionit, duke e vendosur njeriun në qendër të atij kujdesi shëndetësor.

Vdekja graduale e humanizmit në mjekësi është fakt, nuk ka nevojë për studim statistikor apo formulim. Këtë e pëshpëritin njerëzit e thjeshtë, të sëmurët me faktet e tyre, e shikojmë ne mjekët, intelektualët me përvojë, por mbetemi në konstatim. Eshtë jo vetëm mungesë humanizmi, kur ndonjë mjek përdor repartin e një spitali rural ku punon, si klinikën e tij private për benefite, mes një antilogu justifikimesh!

Veç ne shohim vetëm majën e ajsbergut, pjesa tjetër fshihet me fanatizëm dhe rafinim. Vdekja e humanizmit në mjekësi në reaksion zinxhir, frenon, gjithashtu, lindjen e mirënjohjes, por dhe “ekzistencën” e një shoqërie humanitare…

Për të përballuar këtë sfidë duhet të reflektojmë me insistim në udhëtimin profesional dhe të rinovojmë angazhimin, mbi vlerat tradicionale të mjekësisë, duke iu referuar principeve bazë. Faktikisht ndodhemi para një akti makabër që shpërfytyron Mjekësinë. Dr.Frances Peabody në leksionin e tij para studentëve të Mjekësisë në Harvard në 1926(!) mbeti në kujtesë me deklaratën e tij vizionare: “Një nga cilësitë thelbësore të klinicistit është interesi për humanitetin, sepse sekreti i kujdesit ndaj pacientit është në kujdesin për pacientin”. Mjekësia humanitare përpiqet të krijojë modelin e kujdesit ideal dhe të ekuilibruar për pacientin, pa sakrifikuar as shkencën moderne dhe as artin fin… Dhe brenda meje shkreptin mendimi se “Nuk ka mjekësi pa kulturë etike, pa humanizëm , ashtu siç nuk ka krijesë pa zemër dhe shpirt “! Etikën dhe principet morale nuk mund t’i ndryshojnë sipas stinës dhe kalendarit. Raporti i mjekut me kodin e dashurisë pa kusht dhe përkujdesjes ndaj pacientit, mbetet emblema e humanizmit. Në të kundërt mjeku i shërben një humanizmi abstrakt, pra një dehumanizmi, duke rezultuar njeri pa dimension, çka reflekton dhe në shoqëri. Promovimi i integritetit dhe standardeve të larta etike në mjekësi mbetet domosdoshmëri. Kjo mund të arrihet përmes edukimit, programeve të trajnimit, duke krijuar një mjedis mbështetës që vlerëson lidhjet njerëzore në kujdesin shëndetësor. Nuk do të ishte gabim që mjeku të vendoste veten për pak çaste, në petkun e të sëmurit, qoftë dhe virtualisht apo ta përjetonte atë , çka do të ishte një mësim i mirë që do ta bënte “ volens nolens “, të korrigjonte shumë .

“Edukimi i së ardhmes duhet të diktojë, një etikë të mirëkuptimit planetar”, sugjeron filozofi dhe sociologu i shquar francez Edgar Morin.

Përbën nevojë urgjente, në shoqërinë tonë, rikuperimi i kuptimit të vërtetë të mjekësisë, si një kompleks shkencash dhe vlerash humaniste të përkushtuara për kujdesin shëndetësor, stimulimin e këtyre koncepteve dhe përfshirjen e tyre si asete morale, duke integruar cilësitë e saj me vlerat humaniste të ofruara në këtë epokë, ndaj kërkesave “bioetike” në rritje…Citoj këtu fragmentin nga shkrimi im i mirëpritur në Linkedin, “Crystal Purity of Humanistic Medicine and Anticorruption Integrity”: “Korrupsioni me taktikën klienteliste i shkencës mjekësore është shprehje e imazhit të kalit të Trojës brënda saj,(në lobimi ilegal, mbase dhe legal)”…Nuk e di a ekziston potenciali moral, social, kulturor apo intelektual që të mund ti rikthej vlerat e humanizmit në mjekësi. Është jo e lehtë të parashikoj saktësisht, a ka shans rivendosja e kodit humanitar real, apo do të mbetet vetëm një dëshirë në ëndërr ? Ndodhemi para një sfide të madhe të kohës me karakter etik, por dhe ekzistencial të mjekësisë së vërtetë, ku logjika mjekësore humbi prominencën! Kriza e humanizmit në mjekësi, që ndodhet në kurs inklinacioni rapid, po merr përmasa historike, me prognozë fatale. Mendoj se jemi para një momenti sa kritik aq dhe delikat, për ti dhënë jetë atij humanizmi sublim, përndryshe ai do të kthehet në kronikë ëndrrash, apo utopi. Duke na lënë kënaqësinë në trajtë kujtimesh. Sugjerimi dialektik i psikoanalistit J.Lacan ndricon një të vërtetë: “Ligji moral artikulohet në raport me realen”.