Zjarri në Drenovë del jashtë kontrollit, flakët shumë pranë puseve të naftës
Situata në Drenovë të Mallakastrës vijon të përkeqësohet, ndërsa dhjetëra forca zjarrfikëse janë ende në terren, duke luftuar me flakët që po përhapen me shpejtësi.
Pavarësisht ndërhyrjes ajrore, zjarri mbetet jashtë kontrollit. Era e fortë ka ndihmuar përhapjen e flakëve në një sipërfaqe të madhe, duke e bërë të vështirë menaxhimin e situatës.
Burime për News 24 raportojnë se tymi i dendur ka vështirësuar ndjeshëm operacionin e shuarjes, ndërkohë që pritet intensifikimi i ndërhyrjes nga ajri, pasi flakët janë afruar rrezikshëm pranë puseve të naftës.
Në operacion janë angazhuar shërbimet zjarrfikëse të Mallakastrës, Fierit, Patosit, Albpetrolit, forca bashkiake dhe trupa të ushtrisë, me qëllim mbajtjen nën kontroll të zjarrit dhe shmangien e përhapjes drejt zonave të banuara.