1.44 milionë euro për strehimin social: 6,800 familje përfituan subvencione për kredi e qira në 4-mujorin e parë 2025
Programet e strehimit social ku përfshihen disa ndarje, nga subvencionimi i interesave të kredive për banesa deri tek qiraja në tregun e lirë për familjet përfituese kanë marrë nga buxheti i shtetit 144 milionë lekë apo 1.44 milionë euro për periudhën janar-prill.
Të dhënat e raportuara nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) tregojnë se janë disa mijëra familje që mbeten pjesë e këtyre programeve dhe që kanë ardhur në rritje kumulative nga viti në vit.
“Objektivi i programit është të sigurojë, deri në vitin 2030, strehim të përshtatshëm e të përballueshëm për rreth 35,000 individëve/familjeve që kanë aplikuar për strehim dhe që nuk përballojnë dot kostot e tregut të banesave.
Ky tregues llogaritet në mënyrë kumulative nga viti bazë 2016, dhe deri në fund të 4-mujorit të parë të vitit 2025 janë adresuar nevojat e 24 019 familjeve, duke realizuar objektivin afat-gjatë në masën 68.6%.
Gjatë 4M I 2025 u shpenzuan 144 milionë LEK, ose 11% për qind e buxhetit të planifikuar” thuhet në dokumentin e MEKI.
Sa i takon realizimit të 4M I 2025 janë disa zëra që përfitojnë nga program i strehimit.
– 5 923 familje kanë përfituar nga subvencionimi i interesave për kreditë ekzistuese, në vlerën 41.7 milionë LEK.
– 100 familje kanë përfituar subvencionim të interesave për kredi të reja me vlerën 19 milionë LEK.
– 721 familje kanë përfituar subvencionim të qirasë në tregun e lirë sipas Ligjit nr.22/2018, i ndryshuar me vlerë prej 76.5 milionë LEK.
– 110 familje kanë përfituar subvencionim qiraje për shpronësimin nga ndërtimi i Unazës së Madhe, me kosto faktike 5 milionë LEK.
Ministria vlerëson se përsa i përket investimeve publike, realizimi për 4 I 2025 ishte 35% e buxhetit fillestar dhe 27% e buxhetit të rishikuar.
Buxheti i shpenzimeve kapitale pësoi ndryshime gjatë vitit, duke shtuar shpenzimet kapitale me financim të brendshëm, në masën 1 milardë lekë, në zërin Transferte kapitale, me Aktin Normativ nr.3, datë 29.04.2025. Janë realizuar projekte investimi me financim të brendshëm në vlerën e rreth 1.03 mld lekë ku ndër të tjera.
– Në programin Strehimi, i cili konsiston në sigurimin e strehimit të përballueshëm dhe të përshtatshëm për individë e familje që nuk përballojnë dot kostot e strehimit në treg, janë realizuar projektet me vlerë totale 537.6 milionë, konkretisht
– Përmirësimi i infrastrukturës kryesisht për zonat informale, alokuar fonde 21.9 milionë LEK.
– Rikonstruksion i godinave në pronësi të NJVV për Strehim Social, alokuar fonde në vlerën 12.5 milionë LEK.
– Përmirësim i banesave ekzistuese për komunitetet e varfra dhe të pafavorizuara, alokuar fondin në vlerën 47.8 milionë LEK./Monitor