Bashkëpunimi mes Universitetit “Luarasi” dhe “London School of Economics”, Prof. Dr. Et’hem Ruka: Sukses për Shqipërinë! Të rinjtë marrin diplomë elitare
Në episodin e parë të edicionit të dytë të podcastit EduVision nga Universiteti Luarasi, në bashkëpunim me News24, i ftuar ishte Rektori i këtij Universiteti, Profesor Doktor Et’hem Ruka, i cili pohoi rëndësinë e madhe të bashkëpunimit me Universitetit Ekonomik të Londrës.
Profesor Ruka u shpreh ndër të tjera se ky bashkëpunim është i mirë për gjithë Shqipërinë, duke rritur standardet e arsimit të lartë, për më tepër në prag të hyrjes në BE.
Rektori i Universitetit të Lartë përmendi faktin se tani të rinjtë shqiptarë kanë mundësi të kryejnë studimet e larta me më pak harxhime se sa të shkojnë në Londër, kur diploma është e njëjtë e njohur ndërkombëtarisht.
Profesor Doktor Et’hem Ruka: “Sjellja e Universitetit të Londrës në Shqipëri është një eveniment shumë i rëndësishëm për vendin, është në kuadrin e përpjekjeve të jashtëzakonshme që po bëhen nga arsimi i lartë shqiptar për ndërkombëtarizimin, proces i cili ka kohë që ka filluar, por mendoj se Shqipëria po merr kthesën e duhur për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, për të përfituar nga përvojat, bashkëpunimet dhe për të rritur standardet, aq më tepër që jemi në korridoret e BE-së.
Universiteti Luarasi ka fatin që kemi sjellë në Shqipëri një nga universitetet më të mira në botë që është shkolla ekonomike e Londrës dhe që është pjesë e një grupi universitetesh ku përfshihen 17 universitete, por Universiteti Ekonomik i Londrës është ndër më të mirët në botë, ndër 10 më të mirët dhe për këtë vit që flasim në atë që themi rankim (renditje) është renditur në vendin e parë. Është një nga prurjet më të mira në arsimin e lartë shqiptar.
Nuk është një sukses vetëm për Universitetin Luarasi, por është një sukses për Shqipërinë. Ne u japim mundësinë të rinjve shqiptarë që me shumë më pak harxhime se sa në Londër të mbarojnë një shkollë elitare, të marrin diplomë që ka valencë ndërkomëtare, programe që qëndrojnë në kurorën e arsimit të lartë në botë. Universiteti Ekonomik i Londrës ka nxjerrë burime të jashtëzakonshme jo vetëm për Britaninë e Madhe, por për gjithë botën. Praktikisht, pesë kryeministra të Britanisë janë produkt i kësaj shkolle, pa folur pastaj për personalitete të tjera.”