Hijet e skandalit të dopingut në kualifikueset e Botërorit, kombëtarja e njohur rrezikon shumë
Ekipi kombëtar i futbollit të Bolivisë është përfshirë në një skandal dopingu që mund t’i kushtojë deri në shtatë pikë në kualifikueset për Kupën e Botës 2026.
Gjithçka u bë me dije pasi lojtarët Boris Cespedes dhe Ramiro Vaca rezultuan pozitivë në kontrollet antidoping.
Autoritetet po hetojnë gjithashtu përfshirjen e lojtarëve në tre ndeshje kyçe. Bëhet fjalë për një sukses 1-0 kundër Kolumbisë, një barazim 0-0 me Uruguain dhe një fitore 2-0 në shtëpi ndaj Kilit. Këto rezultate i kanë sjellë jo pak por 7 pikë Bolivisë.
Cespedes pranoi se kishte përdorur një substancë të ndaluar pas barazimit me Uruguain më 3 mars 2025. Ai aktualisht është i pezullar ndërsa pret vendimin përfundimtar të FIFA-s, i cili mund të sjellë një ndalim deri në dy vjet.
Rasti i Vaca-s mbart dyshime më të mëdha. Ai u pezullua nga CONMEBOL pasi rezultoi pozitiv në maj gjatë një testi dopingu të kryer pas një ndeshjeje të Copa Libertadores me klubin e tij, Bolivar.