Rama takim me përfaqësues të teknologjisë: Sektori privat mbetet hallka më e dobët ndaj sulmeve kibernetike
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Berat një takim me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe start-up-eve, në kuadër të objektivave për Shqipërinë 2030 drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Në fjalën e tij, Rama u ndal tek sfidat e sigurisë kibernetike, duke theksuar se ndërsa sektori publik po ecën me ritme të shpejta për forcimin e mbrojtjes digjitale, sektori privat mbetet prapa.
“Ekspozimi ndaj sulmeve kibernetike dhe ndërkohë që po përforcojmë dita ditës mbrojtjen tonë në sektorin publik, jemi të shqetësuar se në sektorin privat nuk po ecën me të njëjtin ritëm dhe këtu ne përsëri mund të ndërtojmë mekanizmat për mbrojtje,” deklaroi Kryeministri.
Ai shtoi se qeveria është e gatshme të ndihmojë në krijimin e mekanizmave të përbashkët mbrojtjeje, për të garantuar një siguri më të gjerë digjitale në të gjithë sistemin, publik e privat.