Zelensky bisedë telefonike me Macron: Në fokus mbrojtja ajrore, avionët Mirage dhe trajnimi i pilotëve ukrainas
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun francez Emmanuel Macron, ku u diskutua mbështetja urgjente për nevojat mbrojtëse të Ukrainës, me theks te forca ajrore dhe trajnimet ushtarake.
Zelensky konfirmoi përmes një postimi në platformën X se biseda u përqendrua në situatën në vijën e frontit dhe nevojat prioritare të ushtrisë ukrainase:
“Jam mirënjohës ndaj Emmanuelit për mirëkuptimin e tij strategjik dhe gatishmërinë për të na ndihmuar pikërisht me atë që u nevojitet ushtarëve tanë.”
Dy liderët folën konkretisht për furnizimin me raketa për sistemet franko-italiane kundërajrore SAMP/T, si dhe për financimin e dronëve interceptues për të përballuar sulmet ajrore ruse. Franca ka rikonfirmuar gatishmërinë për të trajnuar më shumë pilotë ukrainas në avionët luftarakë Mirage dhe për të zgjeruar programin përkatës, në funksion të forcimit të kapaciteteve të Forcave Ajrore të Ukrainës.
Zelensky shtoi se janë në përgatitje edhe vendime të përbashkëta me Francën dhe vende të tjera partnere, në nivel ministrash të mbrojtjes dhe të jashtëm, për hapat e ardhshëm në drejtim të mbrojtjes së qytetarëve nga sulmet e Moskës.
Presidenti ukrainas falënderoi gjithashtu Francën për mbështetjen aktive në miratimin e paketës së 18-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe nënvizoi rëndësinë e rritjes së presionit ndërkombëtar mbi Kremlinin.