Besi në një kapitull të ri të jetës, aktori i njohur përflitet për një lidhje të re
Ndërkohë që rrjetet sociale dhe mediat rozë vijojnë të merren intensivisht me romancën e përfolur mes Xhensila Myrtezajt dhe Ledri Vulës, duket se edhe Bes Kallaku ka vendosur të mos qëndrojë në vendnumëro. Tashmë që procedurat e divorcit janë mbyllur dhe ai i është përkushtuar sërish projekteve artistike dhe sipërmarrjeve të tij, burime pranë aktorit flasin për një zhvillim të ri në jetën e tij personale.
Prej disa ditësh, në portale po qarkullojnë zëra se Besi ka nisur një lidhje të re dashurie. Edhe pse nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar, njerëz të afërt me aktorin e përshkruajnë si më të qetë dhe të fokusuar tek vetja dhe e ardhmja. Vajza që i ka rrëmbyer zemrën, sipas të njëjtave burime, nuk është një personazh publik, gjë që përbën një ndryshim të qartë nga lidhja e mëparshme me Xhensilën.
Në rrjetet e tij sociale, Besi vijon të mbajë një profil profesional, duke ndarë me ndjekësit vetëm momente nga karriera apo jeta si baba. Nuk ka asnjë shenjë apo postim që të sugjerojë një lidhje të re, çka tregon se këtë herë ai ka zgjedhur ta ruajë privatësinë me fanatizëm.
Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për një histori serioze apo thjesht një fillim njohjeje, por një gjë duket e sigurt – Besi ka vendosur që kësaj radhe, zemrën ta mbrojë nga sytë e publikut.