Kur arti (s’)tregon me gisht gënjeshtrat zyrtare

Janë ca këngë, në të cilat muzika dhe teksti shkrihen në formë të atillë, sa njëra pa tjetrën s’ka më kuptim. E tillë është dhe kënga “Mëma ime Greqi”, njohur ndryshe dhe me titullin “Majmun evgjitësh” («Μάνα μου Ελλάς» / «Γύφτισσα Μαϊμού») me tekst nga Nikos Gacos dhe muzikë nga Stavros Ksarhákos, dy personalitete të shquara të teksteve dhe muzikës greke pas Luftës II Botërore, deri sot. Prej të dyve, vetëm kompozitori është ende në jetë, madje vijon të japë koncerte.
Kënga (një regjistrim të kësikohshëm në shtator 2024 mund ta dëgjoni këtu) u interpretua për herë të parë si një prej pjesëve muzikore që ishin kolonë zanore e filmit “Rebetiko” me regji nga Kostas Feris («Ρεμπέτικο», Κώστας Φέρης). Filmi përmban 18 këngë me tekste nga N. Gacos dhe muzikë nga S. Ksarhakos. Konkurroi në shumë festivale filmi dhe fitoi shumë çmime. Matanë filmit, çka mbeti e përhershme, ishte muzika e filmit, e cila u dha veçanësinë dëgjimore pamjeve në ekran. Teksti, përkthyer shqip, është ky:
Mëma ime, Greqi
(Majmun evgjitësh)
Nikos Gacos
Aman!
S’kam shtëpi ku pas të kthehem,
as një shtrat ku të fle dhe të prehem.
Nuk kam një rrugë, as dhe mëhallë,
ku ditën e 1 majit shëtitje të dal.
Fjalët plot gënjeshtra, madhështore,
me qumështin e gjirit m’i dhe prore.
Gjarpërinjtë, sërish, na u ngjallën tani,
por ti del e veshur me të lashtën stoli.
Dhe kurrë pikë loti s’e derdhe dot,
teksa bijtë e tu skllevër po i shet sot.
Fjalët plot gënjeshtra, madhështore,
me qumështin e gjirit m’i dhe prore,
mirëpo atëherë kur me Fatin kuvendoja,
me vezullim lashtësie veshur të shikoja,
si majmun evgjitësh në pazar më nxore,
Greqi, o Greqi, o mëmë mizore.
Fjalët plot gënjeshtra, madhështore,
me qumështin e gjirit m’i dhe prore.
Dhe kur u ndez sërish zjarri i krenarisë,
ti ngjeshe përsëri stolitë e lashtësisë.
Dhe në arenat e botës, o mëmë Greqi,
të njëjtën gënjeshtër shëtit e mban në gji.
Aman!
S’kam më shenjtor që t’i përgjërohem,
as dhe kandil, nën qiell të ndriçohem,
diell nuk ka, as hëna s’vezullon,
që për 1 maj një këngë ta këndoj.
(Përktheu: Sokol Çunga, origjinali: këtu.)
Meqenëse filmi “Rebetiko” i kushtohet jetës së një këngëtareje të asaj gjinie të muzikës greke që njihet me emërtimin “rebetiko”, vetvetiu, muzika e filmit duhej t’i përkiste asaj gjinie. Këtë e arritën dy gjenitë e muzikës bashkëkohore greke, poeti Gacos dhe kompozitori Ksarhakos. Teksti i poezisë bart njëherazi dhimbje, pikëllim, dëshpërim, por edhe mllef, zemëratë dhe indinjatë ndaj një realiteti që, përmes vargjeve, përshkruhet si çnjerëzor. Muzika ndjek po të njëjtën linjë vajtuese, sidomos tek soloja e gjatë me fjalën “aman” në fillim dhe në mes të këngës, që këngëtari e trajton intuitivisht, pa pasur ndonjë partiturë përpara (siç e thotë vetë kompozitori, teksa flet për regjistrimin e kësaj kënge, kënduar nga Nikos Dhimitratos, në kuadër të filmit). Për këtë dhimbje, teksti dhe muzika bëjnë përgjegjës mëmëdheun, njësinë anonime të emërtuar unanimisht “mëmë” prej gjithë bashkësisë kombëtare, siç e përfytyron këtë iluminizmi nacionalist dhe nacionalizmi i shek. XIX. Në këtë rast, bëhet fjalë për mëmën e përbashkët të kombit grek, për Greqinë. A ka të drejtë poeti dhe muzikanti të shfryjë duf ndaj atdheut, pa kryer tradhti ndaj atdheut? A përligjet akuza individuale, duke fajësuar mëmëdheun? Fakti që kjo këngë, bashkë me të tjera, janë pjesë e repertorit të çdo muzikanti që këndon gjininë rebetiko, që prej 1983, e këtej, dëften se jo vetëm askujt nuk iu cenuan ndjenjat kombëtare, por, përkundrazi, kënga përfaqëson masat e gjera të popullatës që gjuha, traditat dhe religjioni i lejon të identifikohen si grekë.
Teksti trajton disa çaste shumë të rëndësishme të identitetit dhe dilemave të Greqisë. Akuzon mëmëdheun për historinë e stisur, për gënjeshtrat që shërbyen si shtrat i narrativës kombformuese dhe, më pas, kombëtare. Lidhja e hamendësuar mes Greqisë moderne dhe asaj antike, një Perikli që riciklohet prej politikës së shek. XIX-XX si dëshmi e themeleve demokratike mbi të cilat ngrihen qeveritë e njëpasnjëshme (shpesh arbitrare dhe që nuk u shërbejnë interesave kombëtare), vezullimi i kurorave të zotave të mitologjisë dhe i personaliteteve të lashtësisë, janë luga bosh me të cilat mëma mëkon birin. E shkuara e antikitetit, e mesjetës bizantine dhe e periudhës osmane, deri në pavarësinë e Greqisë, gjithçka e lavdishme e paraardhësve që riciklohet në shërbim të “kombit” të hamendësuar, janë përgjigja që merr biri, sa herë padit mëmën për padrejtësi. Që mëma s’mejton për birin kuptohet fort qartë kur mëma, duke dashur të ngadhënjejë kudo, në çdo arenë ndërkombëtare, përdor bijtë e vet njësoj si ciganët shëtitës përdornin majmunët (apo, në një rast tjetër, arinjtë) si kafshë argëtimi në këmbim të fitimit. Mëma nuk ngurron ta trashë zullumin, shet bijtë e vet skllevër, si të ishin kafshë, dhe mbetet dorëjashtë. Mirëpo, në dobi të kujt gjithë këto? Në dobi të “idesë”, në dobi të “kombit”. E kush na qenka kombi? Kush tjetër, veçse politikanët e cilësdo anë të sallës së parlamentit, shtetarët e etur për t’i shërbyer egos vetjake dhe fitimit të oligarkëve (të cilët nuk janë pak në realitetin e Greqisë moderne). Si për të përforcuar këtë mesazh, filmi përfshin pamje bardhezi të parakalimeve të ushtrisë së Greqisë gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës I Botërore, filmime të kryeministrit të kohës, E. Venizelos dhe qeveritarëve të tjerë, etj. [Filmi i plotë këtu. Skenat me filmime të Luftës I Botërore min. 30:25-32:10, të cilave u mbivendoset dhe kënga.] Ndonëse ngjarjet e filmit shtrihen në vitet 1917-1955 dhe përputhen me jetën e protagonistes së filmit, kënga është prodhuar shumë më mbrapa, më 1982-3 dhe kritika që përmban nuk kufizohet brenda ngjarjeve të filmit.
Qartazi, poezia bart ngarkesë të madhe emocionale, nënkupton se prapa dorës që shkruan, qëndron një shpirt jo vetëm i munduar, por i lodhur, i rraskapitur, pa shpresë, njëkohësisht një arsye e rreptë, që nuk e mbllaçit kritikën, por e artikulon qartësisht. Ndaj nuk kursen askënd dhe asgjë ty tekst. Nuk heq një vijë dalluese mes politikanit të ndershëm, dhe atij të pandershëm, mes patriotit dhe gjoja patriotit. Sepse, me gjasë, poeti e ka të qartë: heshtja e njërit përligj arbitraritetin e tjetrit, e kështu mbetet i pagojë ai që vetëm ndjen shtypjen e barrës së rëndë të “kombit”.
Siç thotë Agathi Dhimitruka, partnerja për shumë vite e poetit, në një intervistë dhënë pas botimit të veprës së plotë të tij: “[Gacos] besonte se çdo njeri që ndodhet pranë artit, [njeriu] që bën art, duhet të qëndrojë dhe përballë pushtetit. ‘Nuk ka kuptim të bëhesh palë me asnjë qeveri’, thoshte, ‘sepse, gjithmonë, qeveria ka për të bërë padrejtësi. Duhet të mbash anën e të padrejtësuarit apo qëndrimin e kritikut, të atij që qëndron përballë’.” Qartazi, kuptojmë se cilës “mëmë” i drejtohet N. Gacos me tekstin e tij.
Teksa bluaja në mendje rreshtat e mësipërme, nëpër rrjetet sociale pashë njoftimet se veprimtaritë kulturore që duhej të zhvilloheshin këto ditë në Theth (fundjava e dytë e korrikut 2025) janë shtyrë pa afat. Kaq. Asgjë më. Asnjë reagim për situatën që krijoi këtë shtyrje dhe pezulli, pra, urdhri verbal i Kryeministrit për të ndëshkuar ndërtimet e paligjshme (për të) në territorin e fshatit, i cili solli reagimin e institucioneve përgjegjëse. Si ta kuptoj, në këto rrethana, qëndrimin e Gacos? Dhe si ta diskutoj? Ku ta kërkoj poetin, kompozitorin, instrumentistin dhe këngëtarin që, sipas idesë së Gacos-it, ide të cilën e mbështes dhe vetë, i vendoset përballë arbitraritetit qeveritar? Ndërkaq, jam i sigurt se, sikur ndonjë kokënxehtë me uniformë të pushtetit lokal t’i kishte shkuar artistit e t’i kishte hequr karriget nga lokali, sikur t’i kishte mbyllur zërin e koncertit, sikur t’i kishte penguar mbarëvajtjen e aktivitetit për këtë apo atë arsye, menjëherë do kishin gëluar ankesat në rrjete sociale, prej andej në median elektronike, pastaj në atë televizive, duke mbërritur në veshët e aspak më pak se të Kryeministrit, përfaqësuesit të pakundërshtueshëm të “kombit”. Siç e dhe ka ndodhur dhe e kemi parë në të shkuarën. Mirëpo, kur “kombi” të prish skenën, vetvetiu, bilbili mbetet pa zë, kthehet në kafaz e s’këndon më.
E kështu, pas kësaj përsiatjeje nuk ishte aspak e vështirë të më shkonte mendja atje ku na shkon përherë: krahasimi me realitetin e Shqipërisë. Çfarë arti bën krijuesi shqiptar? Me cilin tharm mbruhet kënga e këtij vendi, me të cilën jo vetëm argëtohemi e festojmë, por edhe mburremi e krenohemi? Vallë, a kemi këngë që padisin përdorimin e “idesë kombëtare” nga njerëz që flamurin e kanë si përligjje të paligjshmërisë së tyre? Vallë, si i padit shqiptari ata që përfitojnë prej fabulës kombëtare, duke ia dalë të vënë plëng e pasuri, madje dhe duke u mburrur se qenë të zotë e të suksesshëm në pehlivanllëkun e tyre? Veç ca vargjeve të At Gjergj Fishtës e të Ali Asllanit, veç ca vargjeve “antikomuniste” shkruar në periudhën post-komuniste nga individë me veprimtari plot dritëhije gjatë periudhës së komunizmit, s’gjeta gjë. Ama kam dëgjuar dhe lehtësisht mund të gjej shumë këngë me tharm të pastër kombëtarist e mëmëdhetarist që jo vetëm u këndojnë udhëheqësve politikë të Shqipërisë pas 1992, por edhe artistë gjithfarësh, piktorë, skulptorë, instrumentistë, këngëtarë që mbështesin hapur partitë dhe politikanët nëpër podiume. Krejt njësoj siç ndodhte në periudhën e diktaturës së proletariatit 1945-1992. Kërkesë llogarie përmes artit, jo, s’e gjeta…
Të vetmet këngë që mbaja mend dhe i përgjigjen njëfarësoj pyetjes sime ishin ato të kantautorit Orgest Toçe. Arrij të gjej on-line dy këngë proteste të qartë ndaj individëve dhe sistemit, “Zhul” dhe “Don Tirona”, por jo diçka që i drejtohet drejtpërdrejt idesë efemere të “mëmëdheut” (ose, të paktën, unë nuk arrij ta gjej on-line). [Nëse ekzistojnë këngë të tjera, për të cilat nuk jam në dijeni, marr përsipër barrën e gabimit dhe fajin.]
Në çdo fushatë elektorale, çdo dy vjet, qoftë në zgjedhjet lokale, qoftë në ato parlamentare, cilido kandidat e cilido mbështetës i forcave politike nuk i kursen premtimet për një “Shqipëri më të mirë”, se do të restaurojë shtëpinë e të parëve dhe do ta bëjë të begatë për pasardhësit, se do të lulëzojë vendin, se edhe Skënderbeu e Ismail Qemali do të ishin krenarë për të ardhmen e parashpallur, etj., etj. Jo pak prej këtyre që sokëllinin më herët patriotikisht janë dënuar për korrupsion, janë në proces gjyqësor apo nën hetim. Mirëpo, këta, me statusin dhe titullin që e patën fituar me votën e zgjedhësit, këta janë mëmëdheu, jo idetë e shkruara “me gjak” ndër libra. Idetë, librat dhe gjaku s’luajnë asnjë rol në jetën e kapedanëve të politikës apo të nevojtarit të përditshëm. Kësisoj, teksa ushqej mendjen me artin dhe artistët fqinjë, me opozitarët ndaj çdo padrejtësie, nuk habitem aspak pse muzika e lehtë, pop, rock’n’roll a çfarëdo tjetër e ngjashme midis nuk zë rrënjë në Shqipërinë tonë: sepse motivet e kësaj muzike nuk rrënjosen në kërkimin e së drejtës dhe të së vërtetës, por me naivitet ngrihen mbi heshtje, mungesë të informacionit dhe të arsyes, dhe, qofsha gabuar, mbi oportunizëm. Të sqarohemi: nuk jam kundër lirisë së artistit për të mbajtur kah politik. Përkundrazi: le të mbajë një anë e të argumentojë qëndrimin e vet, duke mos lënë hapësirë për hamendësime.
I kemi kënduar gjatë kurbetit dhe nizamllëkut. I kemi kënduar sa dhe si duhet birit, vëllait, bashkëshortit të vdekur. Ca më pak nënës, motrës, bashkëshortes. Por këto janë çështje folklori. Kur do t’i këndojmë, sipas formave bashkëkohore, ofiqarit të pandershëm, karrieristit pa meritë, oportunistit partiak dhe politikanit të kompromentuar, shfrytëzimit të arkës së përbashkët të shtetit? Kur do t’i këndojmë zullumit të autokratit dhe rrufjanit që s’arrin ta kapë kurrë drejtësia, sepse qëndron përmbi drejtësinë? E di, kërkesë e ndërlikuar. Shumëçka mungon në Shqipërinë e sotshme. Mbi të gjitha mungon individi që mendon bazuar në arsye dhe mendim kritik. Më pas vjen artisti me artin e tij.