Princ Leka drejt martesës së dytë me bashkëjetuesen fotografe, çifti planifikojnë ceremoni private! Si u zbulua romanca e tyre, teksa 42-vjeçari ishte ende i kurorëzuar me Elia Zaharinë
Vera ka nisur edhe për Princ Lekën dhe familjen e tij. Në rrjetet e tij sociale, ka qenë vetë trashëgimtari i fronit që na ka sjellë një pjesë të pushimeve që është duke bërë në jug të vendit, me vajzën e tij, por edhe partneren, Blerta Celibashi.
Vetë Leka ka një natyrë shumë diskrete dhe preferon që në rrjetet sociale të zbulojë pak nga jeta e tij e përditshme, por duket se këtë verë e ka thyer rregullin. Në Instagramin e tij, nuk mungojnë foto të Geraldinës, teksa është duke shijuar ditët buzë detit. Nga ana tjetër, në postime janë edhe shkrepjet e Blertës dhe vajzës së tij, duke na zbuluar kështu raportin e mirë që vajza e tij ka me bashkëjetuesen.
Familja ka zgjedhur Ksamilin për të pushuar këtë verë, një zgjedhje kjo thuajse e përhershme e Princit, ndonëse vitet e shkuara ka preferuar që mos të shpërndajë shumë shkrepje, si për të shijuar këtë destinacion privat, pa shumë publik, qoftë edhe virtual.
Pas një periudhe të ngarkuar në jetën private, pas përfundimit të gjyqit me ish-bashkëshorten, Elia Zaharia, tashmë çifti jo vetëm që del hapur, por me ta është edhe Geraldina, që mesa duket ka një lidhje të mirë edhe me partneren e babait të saj.
Kjo nuk është hera e parë që Blerta dhe Princi shihen me Geraldinën e vogël, pasi edhe herë të tjera, vajza që Leka ka me Elian, është parë në shoqërinë e tyre, duke na zbuluar kështu se tashmë lidhja e dyshes është pranuar edhe nga vogëlushja. Burime pranë çiftit, bëjnë me dije se tashmë ka përfunduar edhe gjyqi i fundit mes dy ishbashkëshortëve, çifti është duke menduar për dasmën e tyre.
Ndryshe nga martesa e parë, me Elian, që në Tiranë mbërritën familje të shumta mbretërore, këtë herë me Blertën, ceremonia do të jetë më private, duke dashur që të kurorëzojnë dashurinë e tyre vetëm pranë rrethit të ngushtë. Miqtë e dyshes bëjnë me dije se si Leka ashtu edhe Blerta janë shumë diskret për të folur për dasmën e tyre, ndonëse rrethi i ngushtë është njohur tashmë me detajet e para.
Prej disa muajsh, dyshja është duke bashkëjetuar dhe pranë kësaj marrëdhënie është edhe Geraldina, në kohën që ajo shpenzon me babain e saj. Tashmë hapi i radhës pritet që të jetë edhe celebrimi i çiftit, duke përmbyllur kështu me kurorëzim, një histori dashurie gati 2 vjeçare. Historia që disa muaj më parë jetohej në fshehtësi të plotë, tashmë është bërë më se publike dhe Leka shoqërohet kudo nga Blerta, madje edhe në eventet publike ku është i ftuar.