Sat, Jul 19, 2025

Urdhri i Enver Hoxhës/ Që nga 1945-sa, si i dënoi deputetët diktatura! Çdo ditë dilnin “armiq të rinj”

  • PublishedJuly 19, 2025

Urdhri i Enver Hoxhës/ Që nga 1945-sa, si i dënoi deputetët diktatura! Çdo ditë dilnin “armiq të rinj”

Grupet e deputetëve qenë pjesë e deputetëve dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, pjesë e Frontit Demokratik në Kuvend, por duke qenë zëri kritik në jetën parlamentare, pothuaj të gjithë me qëndrime properëndimore e proamerikane.

Me mbarimin e proceseve ndaj teknikëve intelektualë në proceset “sabotuese” në Maliq në nëntor 1946, gjatë viteve 1947-1948, vëmendja e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit u drejtua mbi inteligjencien e vendit. Grupi i parë i deputetëve të dënuar ishte ai i Riza Danit. Pas kryengritjes së Postribës më 9 shtator 1946, i akuzuari i parë në radhën e deputetëve ishte Riza Dani. Pas tij, më 23 dhjetor 1946, Kuvendi Popullor vendosi t’ia heqë mandatin dhe imunitetin parlamentar së bashku me tre deputetët e tjerë të Shkodrës: Kolë Prelës, Zef Haxhisë dhe Hysni Pejës. Më 15 maj 1947, Ministria e Punëve të Brendshme i kërkoi Presidiumit të Kuvendit Popullor që t’u hiqej imuniteti deputetëve Shefqet Beja, Riza Alizoti, Kol Kuqali, Selaudin Toto, dr. Enver Sazani, Irfan Majuni, Faik Shehu, Sheh Karbunara, Kostandin Boshnjaku dhe Islam Radovicka. Heqja e imunitetit u krye pa debat parlamentar, në një situatë të tensionuar. Krahas deputetëve, u përfshinë edhe figura si Sulo Konjari, Ramazan Tabaku, Riza Alizoti, Foto Bala, Abdyl Kokoshi, Syrja Selfo, Mestan Ujaniku, Beqir Çela etj..

Ndërkohë që një pjesë e tyre u arrestuan para heqjes së mandatit, Kuqali, baba i dy dëshmorëve të rezistencës shqiptare, vdiq më 30 maj 1947 pas 10 ditë torturash. Pas dy grupeve të para, në mars 1948, u gjykua “grupi i tretë”. Në këtë “grup” nuk kishte asnjë ish-deputet, por të gjithë akuzoheshin për lidhje miqësore me të dënuarit e dy proceseve të para e për këtë arsye, këta mund të konsiderohen si “grupi i tretë”. Në fillim të shkurtit 1948 u ekzekutuan të dënuarit me vdekje në procesin e dytë ndaj grupit të deputetëve. Organizimi i këtij procesi është diskutuar edhe gjatë takimit të korrikut 1947 të E.Hoxhës me Stalinin. Sipas diktatorit të Shqipërisë, “lufta ndaj armiqve të brendshëm zhvillohej e ashpër”, por çdo ditë dilnin “armiq të rinj”. Hoxha akuzon “dorën anglo-amerikane” dhe H.Fultzin.

GJYQET

Ndonëse grupi i parë u arrestua më herët, gjyqi ndaj tyre u bë më vonë. Për grupin e Bejës, gjykimi filloi më 4 shtator 1947 në sallën e kinemasë “17 Nëntori”, ndërsa për grupin e Danit, më 31 dhjetor të po atij viti në kinemanë “Nacional”. Aktakuzat e paraqitura dhe formuluara nga nënprokurori i përgjithshëm Josif Pashko ishin: “Krijim grupesh ilegale”, “Krijim i një Komiteti Qendror”, kryesuar nga Shefqet Beja, “Ndihmë për kriminelët e arratisur”, me të cilët do të organizohej një kryengritje për të rrëzuar Pushtetin Popullor, “Nxitës e organizatorë të Lëvizjes së Shkodrës” më datë 9 shtator 1946; “Të lidhur me Misionin Amerikan në Shqipëri dhe aspirantë për një demokraci perëndimore” etj. Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i përbërë nga kryetari major Niko Ceta, anëtarët kapiteni I Nexhat Hyseni dhe kapiteni i II Mustafa Iljazi shpallin vendimin e dënimit të grupit të deputetëve dhe shumë intelektualëve të tjerë, bashkëpunëtorë të tyre.

Në grupin e Bejës u gjykuan 24 veta, nga të cilët 16 u dënuan me vdekje: Beja, Alizoti dhe Sulo Klosi me varje; Majuni, Toto, Tefik Deliallisi, Sazani dhe Sheh Karbunara me të birin, Agathokli Xhitomi, Kokoshi, Salim Kokalari, Beqir Çela, Mehmet Prishtina, Paolo Saggioti, Tefik Deliallisi dhe Pertef Karagjozi. Ndërsa nga grupi i Danit u gjykuan 19 veta, nga të cilët 7 veta me vdekje: Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka, Syrja Selfo (35 vjeç), Uan Filipi (46 vjeç), Hilmi Hysi, (35 vjeç), Hasan Reçi (43 vjeç). U dënuan me dënime të ndryshme: Arif Gjyli (ishdeputet), dr. Isuf Hysenbegasi, Kostandin Boshnjaku (ish-deputet), Demir Kallaratin, Bexhet Shehu, Adem Beli, Hivzi Kokalari, Mestan Ujaniku, Halit Gjolena, Kamber Jaskollari, Ibrahim Hasani, Nexhmi Ballka. Procesi u hap më 22.3.1948 në Tiranë nga një trupë gjykuese ushtarake, e drejtuar nga kapiten I Abdyl Hakiu, kapiten II Shaban Rezha dhe toger Hamet Çiraku, duke pasur pranë prokurorin kapiten Petrit Hakani.

Me vendimin nr.212, datë 30.3.1948, Gjykata Ushtarake e Tiranës në bazë të neneve 6, 8, 10, të ligjit nr.372 dhe nenit 15 të ligjit nr.373, vendosi konfiskimin e pasurisë, si dhe këto dënime: Me vdekje, pushkatim, të shtetasve: Haki Karapici, Irfan Pustina, Ali Bakiu, Ymer Keçi. Me 20 vjet burgim: Vasil Xhaj. Me 15 vjet burgim: Kadri Kërçiku, Baltazar Benusi. Me 10 vjet burgim: Enver Topulli, Gjergj Ashta, Adem Xhepa, Kel Koxhobashi, Ali Shtëpani. Me vendimin nr.127, datë 21.4.1948, Gjykata e Lartë Ushtarake bëri këto ndryshime: Me burgim të përjetshëm: Haki Karapici, Irfan Pustina, Ali Bakiu, Ymer Keçi. Me 7 vjet burgim: Baltazar Benusi. Me 5 vjet burgim: Ali Shtëpani. Me 2 vjet burgim: Kadri Kërçiku. Me paraburgimin e kryer: Vasil Xhaj, Adem Xhepa, Enver Topulli. Pafajësi: Gjergj Ashta, Kel Koxhobashi. Mbetej në fuqi vetëm konfiskimi i pasurisë i të dënuarve me burgim të përjetshëm.

/Gazeta Panorama