BOKS/ Usyk konfirmohet kampion bote, ukrainasi mposht me K.O Dubois
Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk është sërish kampion i padiskutueshëm i botës në peshën e rëndë. Në përballjen e zhvilluar në “Wembley” të Londrës, ai mundi me KO në raundin e pestë britanikun Daniel Dubois. Usyk e hodhi dy herë në tapet rivalin në këtë raund, që herën e dytë nuk arriti dot të ngrihej dhe gjyqtari e ndali sfidën. Ky është suksesi nr.24 në karrierë për Usyk, i pamposhtur në karrierën e tij, duke mbajtur të gjithë titujt e kësaj peshe.
Një përballje që u dominua nga Usyk, që në të gjitha raundet pati një epërsi të lehtë, duke u mbrojtur mirë dhe duke dhënë goditje të forta. Dubois nuk arriti të rivalizojë, duke u mundur edhe më herët se në përballjen e parë. Tashmë Usyk i mban sërish të gjithë titujt e peshës së rëndë, ato WBC, WBO e WBA që i kishte, duke i marrë Dubois edhe atë IBF. Britaniku pësoi humbjen e tretë në karrierën e tii (ka edhe 22 fitore) dhe dy prej tyre i ka ndaj ukrainasit.
Dubois ishte shumë larg asaj që pritej dhe hakmarrja që synonte dështoi (e ka humbur edhe sfidën e parë mes tyre, dy vite më parë). Usyk ishte në formë të jashtëzakonshme, duke treguar teknikë të mirë dhe fuqi të madhe grushtuese.
Duket se taktika që përdori Usyk ishte efikase, duke u mbrojtur mirë dhe grushtet që i dha britanikut e dobësuan shumë këtë të fundit. Të shumtë mbështetësit e tij në stadium, që shijuan këtë triumph, duke konfirmuar edhe njëherë tjetër se Usyk është më i miri.